Begaj dhe Rama presin në takim gjeneralin amerikan të Komandës Europiane të SHBA-ve

Gjenerali Alexus Grynkewich, Komandanti i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara dhe Komandant Suprem i Forcave Aleate për Europën, zhvilloi një vizitë në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, ai u prit në takime nga presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama si dhe nga udhëheqësit kryesorë në fushën e mbrojtjes së vendit.
Gjenerali Grynkewich bashkryesoi konferencën e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-Kartës së Adriatikut (A5) 2025.
Në këtë konferencë, si dhe në takimet dypalëshe me udhëheqësit ushtarakë të vendeve të Kartës së Adriatikut, ai shprehu optimizëm për angazhimin rajonal në ndarjen e përgjegjësive në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimit dhe stabilitetit.
Në takimin me Presidentin Bajram Begaj, Gjenerali Grynkewich u përgëzua për detyrën e rëndësishme dhe vizita e tij u vlerësua si një dëshmi e qartë e angazhimit të SHBA-ve dhe NATO-s ndaj Shqipërisë dhe rajonit.
“Shqiptarët kudo ku jetojnë në rajon i janë falënderues SHBA-ve për kontributin e tyre historik ndaj nesh,” theksoi Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut A5, duke e cilësuar atë si një kontribut kyç në anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO, si dhe për rritjen e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal.
“Shqipëria i është mirënjohëse SHBA-ve për kontributin në modernizimin e forcave të armatosura, si dhe për çdo ndihmë të dhënë në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik,” tha Presidenti Begaj.
Biseda u fokusua edhe në sfidat e sigurisë me të cilat përballet rajoni. Presidenti theksoi se Shqipëria vlerëson KFOR-in si një faktor të rëndësishëm stabiliteti dhe sigurie për gjithë rajonin, ndërsa vijimi i pranisë së SHBA-ve në rajon konsiderohet domosdoshmëri.
Po ashtu, u theksua rëndësia e vazhdimit të stërvitjeve të përbashkëta, si ajo “Defender Europe”.
“Shqipëria do të vazhdojë të jetë kontribuese aktive në mbrojtjen kolektive, duke marrë pjesë në misione dhe operacione të NATO-s, dhe duke investuar në infrastrukturën ajrore, tokësore dhe detare, ku rëndësi strategjike i është dhënë Portit në Porto Romano dhe Korridorit 8”, tha Begaj.

