Basha "zbarkon" në Fushë-Krujë: Përkushtimi ynë tek qytetarët, jo tek telenovelat

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vijim të turit të takimeve në vend, ishte sot në degën e Fushë Krujës për të biseduar me qytetarët për problemet dhe zgjidhjet që duhen për këto probleme.
Ditën e takimeve Basha e nisi me një kafe pune me strukturat e degës së PD në këtë Njësi Administrative.
“Kafe pune në Fushë-Krujë me strukturat e Partisë Demokratike, për të vijuar turin tonë derë më derë pranë njerëzve. Vëmendja jonë, energjia jonë, përkushtimi ynë është vetëm te qytetarët, jo te telenovela politike, që i shërben halleve të pak politikanëve”, u shpreh Basha në rrjetet sociale.
Gjatë ditës, Basha do të ketë takime me qytetarë e sipërmarrës në këtë zonë dhe do të shpalosë idetë dhe zgjidhjet që ofron PD për situatën ku ndodhet vendi.


