Basha vs Hani, Karabina: Sot votoi anëtarësia reale, ka qenë e fryrë. Berisha është përjashtuar nga PD

Këtë të shtunë anëtarët e Partisë Demokratike zyrtare mes shumë debatesh të drejtuesve të saj, iu drejtuan kutive të votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, garë e cila zhvillohet mes ish-kryedemokratit Lulzim Basha dhe Gjergj Hanit, ish-i përndjekur politik.

Lidhur me këto votime, Mirela Karabina, anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, ishte e ftuara e radhës në studion e lajmeve në “Ora News”.

Gjatë intervistës, Karabina e vlerësoi si të qetë procesin e zgjedhjeve të kësaj të shtune për kryetarin e ri të PD-së, ndërsa shtoi se pjesëmarrja deri në orën 15:00 në votime ishte e kënaqshme.

Por ajo që ka shkaktuar debate të forta gjatë këtyre ditëve është fakti se numri i anëtarëve të ftuar në këto votime është reduktuar në më pak se 1/3 krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2021 në PD, ku nga rreth 75 mijë anëtarë demokratë, në 25 mijë.

Karabina thotë se ky reduktim i numrave nuk është i saktë pasi siç tha ajo, ka qenë i fryrë, ndërsa shtoi se sot ka votuar anëtarësia reale e PD-së.

E pyetur lidhur me marrëdhënien që do të PD-ja zyrtare me demokratët e grupimit të Rithemelimit që drejtohen nga ish-kryeministri Sali Berisha, Karabina theksoi se ky i fundit nuk është më anëtar i PD-së, pasi atë e kanë përjashtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Procesi i votimit i qetë, pjesëmarrja e kënaqshme.

Numri i anëtarëve të Partisë Demokratike nuk është i saktë, i fryrë.

Anëtarësia kanë lëvizur vazhdimisht, dhe nuk është përditësuar në regjistrin e partisë.

Partisë Demokratike i është bërë një dëm i madh në gjithë këto vite.

Sot votoi anëtarësia reale.

Sali Berisha nuk është më pjesë e Partisë Demokratike, pasi atë e ka përjashtuar SHBA, është “non grata”.

Enkelejd Alibeaj ka dhënë një kontribut të madh në Partinë Demokratike”, u shpreh ndër të tjera, anëtarja e Kryesisë së PD-së, Mirela Karabina.

lulzim basha lili saraçi mirela karabina gjergj hani

EMISIONET