Basha nuk dorëzohet: Vijojmë rrugën e nisur, Shqipëria meriton më shumë
Kryetari i demokratëve euroatlantistë, Lulzim Basha zhvilloi sot në Vlorë takim me strukturat e partisë, pas të cilit në një deklaratë për mediet u shpreh se Shqipëria meriton më shumë se tangoja Rama-Berisha
“Zhvillova takim me strukturat drejtuese, drejtuesit e lartë në fakt të demokratëve euroatlantikë për të vazhduar pa asnjë ndalesë rrugën që kemi nisur, për t’i dhënë shqiptarëve alternativën që u mungon, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme mos të jenë një tjetër tango e të vjetrës dhe e të keqes që ka pushtuar vendin”, u shpreh Basha.
Por, sipas Bashës, duhet që shqiptarët anembanë Shqipërisë të kenë mundësinë të votojnë për programin që meritojnë dhe për njerëzit që meritojnë.
I pyetur në lidhje me faktin që rekursi për vulën e PD mund të kërkojë kohë, ndërkohë që zgjedhjet janë vitin tjetër, Basha tha se “ne nuk do të presim asnjë sekondë dhe nuk po presim sekondë, sepse ne do ta kalojmë gjithë këtë kohë duke e shpalosur këtë alternativë pranë qytetarëve të Vlorës, pranë grupeve të interesit, pranë sipërmarrjes, pranë përfaqësuesve të fermerëve, të profesioneve të lira, të medias, të të përndjekurve, të pronarëve, të rinisë, të pensionistëve”.
“Pra, nuk presim asnjë ditë, vazhdojmë punën tonë. Shqipëria ka nevojë për këtë alternativë, Shqipëria meriton më shumë dhe ne jemi të vendosur të mos e privojmë, sikundër të hedhim poshtë çdo skenar që shqiptarët i mbyll në ekuacionin e të vjetrës, kryeministrin apo ish- kryeministrin. Kjo nuk është zgjidhja për shqiptarët. Zgjidhja është alternativa që ne përfaqësojme e demokratëve euroatlantikë me të gjithë pjesët e programit që janë bërë publike dhe ne do t’i diskutojmë ditë pas dite deri ditën e zgjedhjeve me qytetarët”, tha Basha.

