Bardhi i përgjigjet Ramës: Demokratët kanë shtëpinë e tyre, 12 vjet keqqeverisje janë shumë kohë e humbur
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama nga Shkodra, për hapjen e derës së PS-së për të gjithë qytetarët, të majtë dhe të djathtë.
Në rrjetin social X, Bardhi shkruan se Rama duhet të mbyllë derën dhe dritaren që të mos vijojë, sipas tij, “braktisja masive që po i bëjnë socialistët e ndershëm, që nuk pranojnë dot 11 vjet keqqeverisje dhe korrupsion, largimin e të rinjve nga vendi apo varfërinë në rritje”.
“Edi Rama duhet të mbyll derën dhe dritaren që të mos vijojë braktisja masive që po i bëjnë socialistët e ndershëm, që nuk pranojnë dot 11 vjet keqqeverisje dhe korrupsion, largimin e të rinjve nga vendi apo varfërinë në rritje.
Demokratët kanë shtëpinë e tyre dhe janë të vendosur të bëjnë realitet ndryshimin që presin shqiptarët prej 11 vjetësh. Boll më! 12 vjet keqqeverisje dhe korrupsion janë shumë kohë e humbur!”, u përgjigj Bardhi.

