Balliu: Afera 118 milionë dollarëshe të “Smart City”, projekt survejimi me hije kineze që cenon sigurinë kombëtare
Nënkryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme, Klevis Balliu, akuzoi mazhorancën dhe Kryeministrin Edi Rama se i mohuan sërish opozitës interpelancën për projektin “Smart City”, pasi sipas tij qeveria kërkon të fshehë “një aferë gjigante korruptive që cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balliu deklaroi se Rama refuzon të përballet me Parlamentin sepse projekti “Smart City” përfshin një kontratë prej 118.5 milionë dollarësh që u dyfishua nga 60 milionë dollarë brenda pak muajsh, pa transparencë, pa garë dhe pa asnjë justifikim teknik apo financiar.
Sipas Balliut, projekti nuk është thjesht një investim për sigurinë publike, por “krijimi i sistemit më të madh të survejimit masiv në historinë e Shqipërisë”, me mijëra kamera inteligjente, sisteme të njohjes automatike të targave dhe monitorim me inteligjencë artificiale në 20 qytete të vendit.
Deputeti demokrat ngriti alarmin se kompania që po implementon projektin, “Presight AI”, pjesë e grupit G42 nga Emiratet e Bashkuara Arabe, është përmendur në raportet dhe hetimet e Kongresit Amerikan për lidhje të dyshuara me struktura kineze të teknologjisë dhe survejimit.
“Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, po instalon një rrjet gjigant survejimi përmes një kompanie për të cilën vetë Kongresi Amerikan ka ngritur shqetësime serioze për lidhje me aparatin kinez të inteligjencës dhe survejimit. Kjo është çështje e sigurisë kombëtare dhe Rama fshihet”, deklaroi Balliu.
Ai shtoi se qeveria nuk ka bërë publike asnjë analizë të rrezikut të sigurisë kombëtare, asnjë konsultim me aleatët strategjikë dhe asnjë garanci mbi ruajtjen dhe administrimin e të dhënave të qytetarëve shqiptarë.
Balliu ndaloi edhe tek dosja e AKSHI-t dhe emri i biznesmenit Ergys Agasi, duke deklaruar se raportimet investigative tregojnë se Agasi ka lobuar për marrëveshjen “Smart City”.
Sipas tij, fakti që një person nën urdhër-arrest nga SPAK për grup të strukturuar kriminal, manipulim tenderash dhe pastrim parash përmendet si lobues i projektit, e bën edhe më të rëndë refuzimin e Kryeministrit për të dhënë llogari në Kuvend.
“Kur kemi një projekt që dyfishohet në çmim, kompani me hije kineze dhe persona nën hetim penal që dalin në prapaskenë, mungesa e Ramës në Kuvend është prova më e qartë se kemi të bëjmë me një aferë të madhe korruptive dhe me një rrezik serioz për sigurinë kombëtare”, u shpreh Balliu.
Në përfundim, Balliu deklaroi se opozita nuk do të ndalet së kërkuari transparencë të plotë për projektin “Smart City”, duke e cilësuar atë si “një projekt korruptiv dhe kriminal që po ndërtohet mbi fshehtësi, survejim masiv dhe kapjen e institucioneve shtetërore”.
Ndiqni live Kuvendin:


