Balliu: Koordinimi i lartë Rama - Vuçiç synon rikthimin e veriut të Kosovës në një territor të diskutueshëm

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, përmes një reagimi në rrjetet sociale thotë se koordinimi i lartë me kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serv Aleksandër Vuçiç ka si synim rikthimin e ndarjes së territorit të Kosovës.
“Koordinimi i lartë i Ramës dhe Vuçiç eliminon sot çdo dyshim, dhe për ata që nuk duan të dëgjojnë. Gjatë qeverisjes “Rama”, Shqipëria ka arritur të afrohet me Serbinë dhe të largohet gjithmonë e më shumë nga Kosova.
Një qeveri si ajo e kryeministrit Berisha punonte çdo ditë dhe çdo orë për njohjen e Kosovës, e ndërtonte “Rrugën e Kombit”, kjo e Ramës po i çon luftën dhe të vrarët në derë të shtëpisë Kosovës.
Nga projekti Serb i ndryshimit të kufijve dhe deri tek projekti Rus i “Ballkanit të Hapur”, Rama është zëdhënësi i Serbisë dhe është personi i PR-it të tyre.
Sot përsëri në një linjë me Vuçiç kur deklaron se KFOR duhet të marrë veriun.
Pse? Nëse KFOR merr Veriun atëherë ai territor nuk është më i Kosovës, pra është një territor i diskutueshëm.
Serbia me Ramën këtë kërkojnë, diskutimin e territoreve të Kosovës në mënyrë që Serbisë t’i hapet një mundësi për t’i vjedhur ato.
Kjo deklaratë e Ramës s’është asgjë tjetër përveç një shërbim më shumë ndaj vëllait Vuçiç e shtetit Serb”, shprehet ish-ligjvënësi demokrat, Klevis Balliu.



