Balla, replikë me Korreshin: Lushnja e transformuar nga investimet në infrastrukturë

Balla, replikë me Korreshin: Lushnja e transformuar nga investimet në

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla solli sot në vëmendje disa nga investimet madhore infrastrukturore që kanë transformuar qytetin e Lushnjës.

Gjatë seancës plenare në Kuvend, Balla replikoi me deputetin e Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i cili shprehu shqetësimet për mungesën e investimeve në Lushnjë, duke u ndalur veçanërisht te mungesa e investimeve në infrastrukturën rrugore të fshatit Allprenaj.

Duke folur edhe nga pozitat e personit që ka qenë drejtues politik i PS-së në qarkun e Fierit, Balla tha se “të paktën në këto 3 vitet e fundit në Lushnjë janë bërë punë të mëdha”.

“Disa punë janë në përfundim e sipër. Janë disa investime që i kanë dhënë atij qyteti një pamje krejtësisht tjetër. Një transformim i paimagjinueshëm që lidhet me investimin madhor në sistemimin, urbanizimin e gjithë zonës përgjatë dy krahëve të përroit të Lushnjës, që ishte një gangrenë në atë qytet”, tha Balla.

Balla solli në vëmendje edhe investimin e rëndësishëm të përfunduar të unazës së Lushnjës, që e kishte kthyer atë arterie të rëndësishme zhvillimi social dhe ekonomik në një zonë të harruar.

“Tanimë është një zonë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik. Po flas për impaktin social ekonomik të investimeve. Kemi po ashtu një numër të konsiderueshëm shkollash të rikonstruktuara. Kemi edhe përfundimin e investimit të plotë të qytetit të Lushnjës për sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimet”, shtoi Balla.

Duke folur për rrugën e fshatit Allprenaj, Balla tha se është e vërtetë se kjo rrugë ende nuk është bërë, por ndërkohë po shikohet mundësia të përfshihet në buxhetin e ardhshëm.

“Unë jam i gatshëm t’ju sjell këtu në seancën e buxhetit të gjitha investimet që janë bërë. Sot bashkia e Lushnjës performon në mënyrë të shkëlqyer. Ka në krye një vajzë të re që e ka shndërruar bashkinë e Lushnjës në një institucion të besuar për partnerët. Ndaj falënderoj edhe qeverinë e Zvicrës e cila përmes këtij programi e ka bashkinë e Lushnjës një nga partneret kryesore”, tha Balla, ndërsa në seancë diskutohej vazhdimi i fazës së dytë i programit me qeverinë zvicerane “Bashki të Forta”.

EMISIONET