Balla: Italia, partner strategjik në ekonomi dhe integrimin europian

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë sot në konferencën me temë: “Shqipëria, Urë Mundësish, për nxitjen e investimeve italiane – Investimet Strategjike për të Ardhmen”, ku theksoi rëndësinë e partneritetit mes Shqipërisë dhe Italisë, si ura jonë drejt Europës.
Në fjalën e tij, Balla u ndal te rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ndërsa u shpreh se “objektivat tona janë të qarta: përmbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, nënshkrimi i traktatit të anëtarësimit në 6-mujorin e parë 2028 dhe anëtarësimi i plotë në BE brenda kësaj dekade”.
Balla theksoi se ecuria e deritanishme është një arsye e fortë për gjithë këtë optimizëm.
“Jemi ndoshta vendi i parë dhe i vetëm që kemi arritur të hapim 28 kapituj brenda 11 muajve, krahasuar me vende të tjera, dhe synojmë të mbyllim kapitujt e mbetur brenda këtij viti”, shtoi ai.
Duke u ndalur te shkëmbimet tregtare me Italinë, Balla nënvizoi se 68% e eksporteve shqiptare drejt BE-së shkojnë në Itali, ndërsa 42% e importeve tona nga BE vijnë nga Italia.
Balla nënvizoi se “Italia renditet ndër tre kontribuesit kryesorë të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, me 12,7% të totalit”.
“Në janar – mars 2025, investimet e huaja direkte kapën shifrën 362 milionë euro, një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Vetëm në prill-qershor 2025 u regjistruan 541 biznese me pronësi të huaj, pothuaj 50% më shumë se një vit më parë”, theksoi ai.
Duke u ndalur te turizmi, Balla u shpreh se ai është një tjetër shtyllë e rëndësishme e lidhjeve mes dy vendeve.
“Vetëm gjatë vitit 2024 mbi 800 mijë turistë italianë vizituan Shqipërinë, duke e vendosur Italinë ndër burimet kryesore të turizmit hyrës. Ky fluks është një urë e gjallë lidhëse kulturore dhe ekonomike që çon drejt investimeve të reja në hotele, shërbim dhe produkte lokale”, theksoi ai.
Balla vlerësoi rëndësinë e diasporës shqiptare, duke njoftuar qasjen e re të Kuvendit të Shqipërisë, me një komision të përhershëm të posaçëm për shqiptarët që jetojnë jashtë.
“Komisioni do të ndjekë zbatimin e të gjitha strategjive, përkujdesjen e domosdoshme, qoftë të qeverisë qendrore apo atyre vendore sa u takon shqiptarëve në diasporë. Suksesi i çdonjërit prej tyre është sukses i Shqipërisë. Promovimi i këtyre historive suksesi është nder për ju, por edhe për Shqipërinë tonë të përbashkët. Nuk besoj që ka ndonjë diasporë tjetër më të lidhur me vendin e vet se diaspora kuqezi”, shtoi ai.

