Aplikacioni patronazhist "Akt1visti", PD: Qeveria detyron administratën në orar zyrtar. SPAK të hetojë

Aplikacioni patronazhist "Akt1visti", PD: Qeveria detyron

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Jola Hysaj ka denoncuar sërish skandalin me aplikacionin ‘Akt1visti’, nëpërmjet të cilit qeveria e Edi Ramës detyron punonjësit e administratës në orar zyrtar.

Në një deklaratë nga selia blu, Hysaj i bëri thirrje SPAK të hetojë këtë skandal pasi faktet janë denoncuar edhe nga vetë zyrtarët e majtë.

"Qeveria shqiptare, administrata publike qendrore dhe vendore, janë kthyer prej vitesh në institucione ku nuk mendohet më për hallet e njerëzve, por vetëm si të mbahet në pushtet absolut Edi Rama dhe Rilindja. Çdokush do të mendonte se në godinat e ministrive apo drejtorive, në orarin zyrtar kryhet detyra për të cilën administrata paguhet nga taksat e shqiptarëve.

Por, faktet flasin të kundërtën. Dhe këto fakte kanë nisur të publikohen nga vetë zyrtarë të majtë.

Në media është publikuar një dëshmi e këtij zyrtari i cili rrëfen se drejtues të lartë në ministri të cilët janë vendosur me urdhër partie në këtë detyrë, qëllim të vetëm kanë shërbimin elektoral ndaj Partisë Socialiste dhe për këtë fakt janë të ngarkuar të urdhërojnë vartësit të shkarkojnë aplikacionin “Akt1visti”.

Një burim i administratës në kushte anonimati thotë për median se nëse angazhohesh në faqet e Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe ministrave të tjerë, një like është 5 pikë, një share 15 pikë.

Skandali shkon përtej imagjinatës kur në administrate, në institucionet qendrore dhe vendore, kryhen mbledhje të rregullta për të ndjekur mbarëvajtjen e aplikacionit dhe përdoruesit e tij.

Në vitin 2023 qeveria detyron punonjësit publikë për t’i bërë like, koment dhe share në facebook etj, postimeve të Edi Ramës, anëtarëve të tjerë të qeverisë dhe nëse dikush nuk pranon të marrë pjesë në këtë aplikacion, shantazhohen dhe madje pushohen nga puna.

Për më tepër ky aplikacion bie ndesh me të gjitha ligjet e mundshme të Shqipërisë dhe ato ndërkombëtare duke cënuar rëndë privatësinë.

Edi Rama duhet ta kuptojë se është kthyer në qesharak edhe brenda partisë dhe qeverisë së tij.

Partia Demokratike i bën sërish thirrje SPAK-ut të nis urgjentisht hetimet kundër personave përgjegjës të prodhimit dhe shpërndarjes të aplikacionit “Aktivisti”, me anë të cilit drejtuesit e lartë të shtetit po shantazhojnë punonjësit e administratës në kundërshtim të plotë të ligjit për shërbimin Civil dhe Kodin e Punës", u shpreh Hysaj.

qeveria spak zgjedhjet e 14 majit partia demokratike pd jola hysaj aplikacioni akt1visti

EMISIONET