Ambasadori italian: Synojmë rritjen e diplomacisë ekonomike me Shqipërinë

Italia synon rritjen dhe forcimin e diplomacisë ekonomike me Shqipërinë.
Në një intervistë për RTSH-në, gjatë emisionit “Realitete Shqiptaro – Italiane”, ai theksoi se “Italia synon rritjen dhe forcimin e diplomacisë ekonomike në rajon dhe veçanërisht me Shqipërinë”.
Sipas tij, për këtë kemi projekte të reja që synojmë t’i zhvillojmë në funksion të zgjerimit të ekonomisë.
“Ka një proces reformash që do të çojnë përpara diplomacinë ekonomike dhe të rritjes ekonomike, ka instrumente të rinj dhe stimuj për nxitjen e eksporteve dhe investimeve ku mendoj se Shqipëria është një ndër vendet”, theksoi Alberti.
Ai shprehu bindjen se të gjithë këto instrumente të rritjes mund të implementohen.
“Ne po punojmë që ndërmarrjet e mëdha të mund të vijnë në Shqipëri, pasi ndërmarrjet e mëdha nxisin zinxhirin e SME-ve që janë me kontribut të madh në ekonominë. Shqipëria megjithëse është një vend i vogël për të krijuar vlera, është e rëndësishme të rritemi së bashku”, deklaroi ambasadori Alberti.
Ai theksoi se gjeopolitika është gjeoekonomi, ndonëse janë të ndara.
“Shqipëria po vrapon të hyjë në BE dhe mendoj se ky është momenti final për të kapur disa mundësi dhe të zhvillohen edhe në një kontekst më të gjerë tregu mundësish, që do të jetë BE”, deklaroi ambasadori italian Alberti.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti i pranishëm në takimin që u zhvillua pak ditë më parë në Tiranë me sipërmarrësit italianë, vuri në dukje se Italia është një partner i rëndësishëm ekonomik për vendet e rajonit e më gjerë, por veçanërisht për Shqipërinë, si dy vende fqinjë e me histori të hershme bashkëpunimi.
Shqipëria dhe Italia vitet e fundit kanë zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme duke mundësuar për rritjen e mëtejshme të investimeve italiane në vendin tonë.
Për vitin 2024 Italia renditet në investitorin e dytë më të madh, me një stok investimesh prej 1,7 miliardë euro në sektorë strategjikë të ekonomisë tonë si në atë financiar, të bankave dhe të shërbimeve.


