“8 Dhjetori”, Xhaferraj: Rinia e sotme më e informuar, por reagimi i saj ndryshe nga 34 vite më parë, është largimi nga vendi

Në përkujtim të 8 Dhjetorit 1990, Ditën e Rinisë, Forumi Rinor i Partisë Demokratike zhvilloi një marshim protestë të dielën për të nderuar aktin heroik të studentëve që ndezën flakën e demokracisë në Shqipëri.
Marshimi nisi nga Qyteti Studenti për të vijuar drejt Kryeministrisë, ndërsa atij iu bashkua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Por pse kjo formë reagimi?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta jepte vetë kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Besart Xhaferraj, në studion e lajmeve në “Ora News”.
“Në këto 34 vite demokracie të brishtë, situata i ka rrëshkitur prej duarsh shtetit.
Kjo në kuptimin në shkeljen e të drejtave të njeriut, rrënimi i vetë demokracisë, kapja e sistemit të drejtësisë, kapja e medieve, lidhja e krimit dhe diktimi i këtij të fundit në politikë.
Pra, sot po përjetojmë një diktaturë moderne dhe kjo është një kambanë alarmi për të gjithë të rinjtë e sotëm që të krijojnë një shoqëri të hapur, jo në kuptimin e fondacionit famëkeq, por në kuptimin që të mos ketë një shoqëri të mbyllur në këtë diktaturë moderne.
Sot raporti është që kemi 3 pensionistë me një të ri. Rinia e sotme është e informuar se ajo e 34 viteve më parë, por forma e reagimit të saj është e ndryshme, dhe rinia e sotme ka zgjedhur të largohet në vendi, se të ndërmarrë nisma politike dhe shoqërore për t’i vënë kushte partive politike në mënyrë që t’iu imponohen atyre.
Duhet të ketë organizata rinore që të ngrejnë dhe bëjnë kauza thjesht rinore, që iu përgjigjen nevojave të rinisë së sotme shqiptare”, u shpreh kreu i të rinjve demokratë, Besart Xhaferraj.
DITA E RINISË
8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë.
E shpallur prej vitit 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 Dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.
Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera 8 dhjetori nuk pati dy palë, një fituese dhe një të humbur.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME KREUN E FRPD, BESART XHAFERRAJ




