48 orët vendimtare për regjistrimin, përfaqësuesi ligjor i Berishës: Do ankimojmë vendimin e KQZ-së
Sali Berisha nuk e përfaqëson dot Partinë Demokratike në garën e 14 majit. Ka akses në zgjedhje me logon e kësaj force politike vetëm Lulzim Basha.
Por edhe grupimi i Alibeajt ka afat vetëm 48 orë për të qartësuar dokumentacionin.
Përmes një autorizimi, Lulzim Basha pas dorëheqjes e ka deleguar detyrën e kryetarit, veprim të cilin KQZ nuk e njeh.
Franci Nuri, përfaqësuesi ligjor i deputetëve të PD-së së Berishës në një intervistë për Ora News thotë se pala tjetër do të kishte shmangur këtë situatë me tërheqjen e padisë nga Apeli.
Nuri: Edhe me vendimin e Apelit pala tjetër vetëm sa i ka shkaktuar dëm PD. E panë sot, vendimi i Apelit për vulën nuk u shërbeu atyre për asgjë, nuk arritën dot të regjistrohen. Ata do ta kishin zgjidhur mjaft mirë situatën në favor të gjithë demokratëve nëse do të kishin tërhequr Apelin.
Ndërsa PD zyrtare do të duhet të plotësojë dokumentacionin brenda 48 orëve të ardhshme, Nuri tha se fokusi i tyre është ankimimi i vendimit të KQZ.
Nuri: Për momentin ne do të fokusohemi te ankimi i kësaj vendimmarrje, ne do të kërkojmë të regjistrohet PD me kryetar Berishën.
Nëse Berisha nuk regjistrohet dot në KQZ me logon e PD, Nuri shpjegoi dhe planin B.
Nuri: Vendimmarrja që PD të hyjë në zgjedhje me koalicion është tashmë një vendimmarrje politike e marrë nga forumet më të larta të PD. PD e përfaqësuar nga Berisha do të hyjë në koalicion, teknikalitetet se me cilën parti apo cilin grupim kjo do të diskutohet akoma.Kodi zgjedhor parashikon datën 15 mars si afatin e fundit për regjistrimin e koalicionit.
Kodi zgjedhor e ka të qartë, nëse një koalicion do të ketë dy apo më shumë parti, nevojiten deputetë sa numri i partive të koalicionit. Nëse në koalicion do të ketë tre parti politike parlamentare do të duhet të kenë të paktën 3 deputetë të përfaqësuar me siglën e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë 6 muajve të fundit ai deputet të ketë mbajtur atë sigël partie. Është diçka që mbetet për tu adresuar në ditët në vijim brenda afateve procedurale.