'46% e barnave të paimportuara', Xhixho ngre alarmin: Sistemi shëndetësor në kolaps, nevojitet ndërhyrje urgjente

Zv. presidentja e PL, Erisa Xhixho në një postim në rrjete sociale shkruan se situata në sistemin shëndetësor është alarmante, duke ngritur akuza për mungesë fondesh, pajisjesh jetike dhe barnash në spitale, si dhe duke kërkuar seancë dëgjimore me Ministren e Shëndetësisë për të dhënë llogari për gjendjen aktuale.
Në vijim, Xhixho thekson se situata është përkeqësuar ndjeshëm në disa nga institucionet kryesore shëndetësore në vend.
Sipas saj, analizat laboratorike nuk kryhen më pas datës 20 të çdo muaji për shkak të mungesës së fondeve, duke kufizuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve në shërbime bazë diagnostikuese.
Ajo ngre gjithashtu shqetësime serioze për Spitalin Onkologjik, ku, sipas deklaratës së saj, mungojnë pajisje jetike si brakiterapia dhe PET-Scan, si dhe terapi bazë dhe mjete diagnostikuese të domosdoshme për trajtimin e pacientëve me sëmundje të rënda.
Xhixho i referohet gjithashtu të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilave 46% e barnave nuk janë importuar gjatë periudhës 2021–2025.
Postimi i plotë:
Situata në sistemin shëndetësor është skandaloze .
Analizat nuk kryhen më pas datës 20 të çdo muaji për shkak të mungesës së fondeve,
Në Spitalin Onkologjik mungojnë brakiterapia , Pet - Scan, terapitë bazë dhe pajisjet diagnostikuese jetike. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, 46% e barnave nuk janë importuar fare gjatë 2021-2025.
Spitali i Traumës është futur në një proces rindërtimi që do të zgjasë 2 vite, me 10 salla operatore të bllokuara dhe me shërbime jetike që nuk ofrohen më. Ka pasur prani të baktereve të rrezikshme në sallat . Kjo është një situatë që rrezikon drejtpërdrejt jetën e pacientëve .
Ndaj sot në Komision kërkova një seancë dëgjimore me Ministren e Shëndetësisë për të dhënë llogari për këtë gjendje alarmante.

