21 JANARI/ Çollaku: Përbërës të grupeve hetimore në këto 15 vite kanë përgjegjësi
Pjesë e panelit në OraNews në emisionin “Ora e Betit” ka qenë gazetari Basir Çollaku për të analizuar hetimin ende të pazgjidhur të 21 janarit.
Çollaku fillimisht e ka gjykuar se prokurorët, gjyqtarët dhe oficerët e policisë që janë ngarkuar me këtë ngjarje nuk kanë treguar mjaftueshëm profesionalizëm për të gjetur detajet për vrasjet dhe të plagosurit e 21 janarit.
“Në gjykimin tim hetimi ka çaluar. Të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë që janë marrë me çështjen dhe oficerë policie duhet të kishin qenë shumë herë më profesionist edhe më kërkues ndaj çdo detaji hetimor. Për të zbardhur çdo element të kësaj ngjarjeje. Për të vrarë për të lënduar.”- tha ai.
Nga ana tjetër, gazetari ka bindjen se kjo ngjarje e etiketuar nga Gjykata e Strasburgut si krim shtetëror, përgjegjësinë bie në brendinë e institucioneve të pushtetit aso kohe.
“Kur Strasburgu thotë vrasje shtetërore, te shteti janë shumë pushtete. Pra, nuk është vetëm qeverisja. Janë shumë institucione në këtë brendi që ngarkohen me përgjegjësi dhe secili institucion ka emra konkret se cili është raporti i tyre me përgjegjësinë penale.
Cili është ajo që kanë kryer apo mos kryerja, duke qënë se edhe mosveprimi është element i veprës penale.
Jo pak përbërës të grupeve hetimore ndër vite në këto 15 vite kanë përgjegjësi.
Përballë strukturës së Posaçme, me këtë rikthim hetimor duhet të thërrasin të gjithë ata që janë pyetur përfshirë dhe zoti Berishën.”- u shpreh Basir Çollaku.

