"11 maji", LZHK dhe “Djathtas 1912” zyrtarizojnë koalicionin “Djathtas për Zhvillim”

Partitë “Djathtas 1912”, me kryetar Rezart Kthupin, pjesë e të cilës është dhe Enkelejd Alibeaj, dhe LZHK, me kryetar Dashamir Shehin njoftuan sot zyrtarisht se do të shkojnë si koalicion për zgjedhjet e 11 majit.

Ata kërkojnë të regjistrohen si “Djathtas për Zhvillim”, ndërsa shkronjat nistore të koalicionit të jenë DZh.

Në shkresën e formimit të koalicionit, partitë vënë në dukje se bashkohen duke besuar se Shqipëria është në një fazë kritike të zhvillimit të saj dhe pushteti publik ka deficit të legjitimitetit demokratik, dhe se në Parlamentin e dalë nga zgjidhjet e 11 majit 2025 qytetarët duhet të përfaqësohen realisht dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet.

Sipas tyre, Shqipëria ka nevojë për një demokraci funksionale, ku pushtetet të jenë realisht të ndara dhe të balancuara, ndaj ndryshimi i modelit politik, përtej rotacionit qeverisës, është një domosdoshmëri.

Partitë shprehen se sistemi zgjedhor është i pabarabartë mes partive politike. “Ai rrezikon të deformojë vullnetin e zgjedhësve dhe të prishë garën e hapur, duke krijuar rezultat të pandershëm në favor të partive të vjetra që kanë dominuar skenën politike prej dekadash dhe që janë bashkëautore të këtij sistemi zgjedhor”, vijon deklarata.

Partitë dakordësohen se vlerat themelore të secilës parti janë më të rëndësishme se sa ide të veçanta programore që i ndajnë  dhe se koalicioni bazohet në respektin e ndërsjelltë për identitetin social, politik dhe programor të anëtarëve të tij. 

Dokumenta bashkëngjitur

EMISIONET