Siç thonë në Tiranë: çenka bërë gallatë e madhe me vazon që Rama i paskësh dhuruar Erdoganit

Siç thonë në Tiranë: çenka bërë

Siç thonë në Tiranë: qenka bërë gallatë e madhe me vazon futuriste që Edi Rama i Shqipërisë i paskësh dhuruar Rexhep Taip Erdoanit të Turqisë.

Rama: Vetë e kam bërë këtë (vazo).
Erdoani: A keni një talent të tillë?
Rama: Jam artist serioz unë, jam piktor.
Erdoani: Hmmm.
***
Konfuzioni do të kishte qenë më i vogël nëse Edi Rama do t’i kishte dhuruar Rexhep Taip Erdoanit:
a) një palë tespihe
b) një mangall
c) një fes
ç) një çibuk
d) llokume me arra të Këlcyrës apo Mallakastrës
dh) hallvë me sheqer e vaj susami
e) kadaif me bajame
ë) një jatagan
f) një figurë jeniçeri
g) revani me kos
gj) hurma pa fara

h) poezi të bejtexhiut Nezim Frakulla
i) një portret të shqiptarit Mehmet Pashë Qyprilliut, kryevezir i Perandorisë Osmane mes viteve 1656-1661
j) një ibrik për sherbet
k) një portret të Ali Sami Yen (Ali Sami Frashëri), i biri i Sami Frashërit, themelues i Galatasaray Sports Club
l) një futboll me emrin e Ali Sami Frashërit
ll) një model treni në kujtim të Eqrem Bej Vlorës, i cili më 1908 si i dërguar i Sulltanit inauguroi linjën hekurudhore mes Mekës dhe Medinës
m) romanin e parë në gjuhën turke të shkruar nga Sami Frashëri (Shemsedin Sami)
n) fjalorin turqisht-frëngjisht të përpiluar nga Sami Frashëri
nj) një portret të shqiptarit Hasan Tahsinit, astronom, fizikan, psikolog dhe filozof osman, rektor i parë i universitetit të parë të Perandorisë Osmane
o) një sixhade nga leshi i deleve të Kurveleshit
p) hoshaf kumbullash
q) një qostek të artë për orën e xhepit
r) një qafore për zonjën e parë Emine Erdoan
rr) një byzylyk për zonjën e parë Emine Erdoan
s) një legen argjendi për avdes
sh) fjalorin e orientalizmave në gjuhën shqipe të Tahir N. Dizdarit
t) librin e studiuesit gjerman Norbert Boretzky “Der türkische Einfluss auf das Albanische / Phonologie und Morphologie der albanischen Turzismen (Albanische Forschungen)» (Ndikimi i turqishtes mbi shqipen)
th) një tezgjah
u) një bohçe
v) një divan me raft
x) një vazo me zymbyla
xh) një kazan me sytliaç
y) byrek me hithra të Himarës
z) një tas me ashure
zh) një takëm rroje

EMISIONET