Rruga e Shqipërisë për në BE nuk kalon nga Beogradi

Rruga e Shqipërisë për në BE nuk kalon nga Beogradi

Në një intervistë për TV Italian, zoti Rama deklaroi se nuk e shikon integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE pa Serbinë. Po pse kjo deklaratë e një kryeministri Shqiptar në përkrahje të Serbisë kur dihet se për BE-në, integrimi europian është një proces që bazohet në meritokraci, në përpjekjet e vendeve për të plotësuar kërkesat e nevojshme dhe për të realizuar parimet dhe vlerat europiane? Për shqiptarët, integrimi në BE është një proces ekzistencial që përcakton përkatësinë e Shqipërisë drejt Perëndimit.

Ky projekt as nuk negociohet dhe as nuk përshtatet dhe diskutohet me vendet e tjera, të cilat perspektivën e tyre e lidhin me kondita, qëndrime dhe perspektiva që në thelb janë anti-perëndimore. Kjo është Serbia e sotme e nacionalistëve të rinj të Vuçiç, që e gjejnë veten me afër me Rusinë revizioniste si në ideologji ashtu edhe në strategjitë politike për të rikthyer hapësirat Serbe dhe për të bërë realitet Serbinë si një fuqi dominuese në Ballkan.

Serbia me kohë e ka kthyer veten në një vend satelit të Rusisë dhe ka përcaktuar marrëdhëniet e saj të jashtme si të baraslarguar nga Perëndimi, Kina, Rusia apo BE. Për më tepër që Serbia për vite me radhë ka ngritur rolin e Rusisë si shpëtimtar ndaj padrejtësive që po i bëhen asaj nga Perëndimi. Në mirënjohje, ajo i ka bërë koncesione të gjera ekonomike, financiare, ushtarake dhe informative Rusisë për të rritur influencat e saj në Ballkan.

Nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë deri në 2016, Serbia u ambientua me vendimin e ndërkombëtarëve dhe në pamundësi për të prishur konsensusin e tyre për zgjidhjen ballkanike, morën rolin e viktimës dhe përfituan nga ndihma e Europës dhe Gjermanisë për të rindërtuar ekonominë. Në 2016, me korrigjimin e politikës së jashtme amerikane - ‘Amerika e Para’ - dhe ekspansionin nacionalist ruse ne hapësirat e ish-Bashkimit Sovjetik, nacionalistët serbë ndryshuan strategji dhe punuan për një projekt të ri për Ballkanin, projekte që do ti mundësonin Serbisë por edhe Rusisë për një zgjidhje të re gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Kjo zgjidhje do vinte nga ndryshimi i kufijve dhe përcaktimi i shteteve në linja të pastra etnike nga do të dilte Serbia e Madhe apo Jugosllavia e rikonfiguruar.

Me këtë projekt Serbia rikthehej në rolin dominant të saj në Ballkan, ndërsa Rusia do të fitonte rikthimin e saj si fuqi botërore negociuese me fuqitë e mëdha në Ballkan dhe do të prishte planet e Perëndimit për Ballkanin duke ndarë zonat e influencës. Plani ruso-serb për Ballkanin u shit si një plan origjinal stabiliteti ballkanik duke gjetur në Tiranë një aventurier politik, të korruptuar dhe të dashuruar me pushtetin për ta bërë partner në një zgjidhje ku të dy palët do të fitonin: Serbia pjesën e luanit me gjithë hapësirat serbe, veriun e Kosovës, ndërsa Shqipëria mund të bashkohej me pjesën e mbetur (po ta linin ndërkombëtarët). E rëndësishme ishte që Vucic-Rama të ishin aktorët dhe agjentët e ndryshimit dhe liderët që do të përcaktonin rregullat e reja të lojës.

Ky projekt u sponsorizua edhe nga grupe interesi si Fondacioni Soros, i cili e shikonte si një projekt origjinal për Ballkanin. Rënia e projektit të ndryshimit të kufijve ne Ballkan u ndalua nga qëndrimi i prerë i Gjermanisë, por projektet për ndryshim nga Serbia nuk u ndalën. Në tavolinë u hodh projekti ‘Ballkani i Hapur’, që u paraqit si një projekt modern perëndimor, por në esencë ishte rikthim i ish-Jugosllavisë në një strukturë të re edhe me konsensusin e Shqipërisë. Me përkrahjen për Ballkanin e Hapur, Rama hoqi dorë nga roli i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor dhe zgjodhi dominimin serb si alternativë.

Projekti i Ballkanit të Hapur vazhdon të përkrahet edhe në SHBA, jo vetëm nga lobimi i shfrenuar i dyshes Rama-Vucic por edhe nga presioni që bëjnë individë dhe organizata interesi të cilat justifikojnë veten me qëndrimin: - Dicka duhet ti japim Serbisë për të mbetur në perëndim. Ndihma, lobingu dhe përpjekjet për të ndihmuar Serbinë për qëllime gjeopolitike është më tepër një kartë justifikimi për aktorët ballkanikë, Rama e Vucic, për të vazhduar projektet e tyre, që në thelb janë kundër interesave perëndimore.

Mospërkrahja e inisiativës së Berlinit, një projekt europian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por mbajtja e hapur e Ballkanit të Hapur, tregon se autokratët e Ballkanit janë të painteresuar për rrugën europiane të integrimit, por të prirur të mbajnë në Ballkan një pozicion të paangazhuar gjithmonë duke pretenduar se do të mbeten pjesë e integrimit europian. Në qoftë se Vucic do të ishte i prerë për zgjedhjen e rrugës europiane nuk do të kishte provokuar me aderimin në tregun euro-aziatik të Rusisë dhe Rama nuk do t’i jepte investimet kryesore strategjike vendeve si Turqia, vendeve të Gjirit Persik apo provokonte me projekte që bien ndesh me politikat europiane.

Qëndrimi i Ramës në mbështetje të Serbisë si dhe justifikimi i qëndrimeve të saj për të mos u bashkuar me sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë, tregon që lidhja Rama-Vucic është shumë më e thellë sesa perceptimi naiv i ndërkombëtarëve që besojnë se roli i tyre është të afrojë Vucic drejt Perëndimit. Loja e vërtetë është ajo e interesave të pushtetit ku korrupsioni galopant i këtyre regjimeve e bën të pamundur integrimin e tyre në BE.

Është hera e parë që një zyrtar shqiptar hedh idenë që rruga e Shqipërisë drejt Perëndimit shkon dhe është e lidhur me Beogradin. Një mendim dhe veprim i tillë është jo vetëm miopi politike, përdorim dhe kapje, po tregon se degradimi i demokracisë dhe ekzistenca e autokracisë të con gjithmonë e më shumë drejt lindjes. Qëndrimi se pa Serbinë nuk mund të bëhet integrimi europian, tregon se për Ramën nuk është e rëndësishme rruga perëndimore e Shqipërisë por zbatimi i projekteve në funksion të Serbisë. Në qoftë se roli i Shqipërisë do të ishte i prerë dhe në funksion të interesave kombëtare do ta linte Serbinë vetëm dhe zbuluar në qëndrimet e saj, gjë që do ta bënte më të lehtë për BE-në dhe Perendimin në qëndrimin e tyre kundrejt Serbisë.

Lidhja e Ramës me Vucic u pa hapur në përkrahjen e tij entuziaste për projektin e Presidentit Macron për Komunitetin Politik Europian, një projekt më tepër për vendet që nuk mund të integrohen në BE dhe jo vendet kandidate që perspektivën e kanë të qartë. Plani i autokratëve të Ballkanit është ta shtyjnë procesin e integrimit europian dhe të qëndrojnë të paangazhuar ndaj fuqive të tjera në pritje që Ballkani i Hapur të bëhet një realitet. Prandaj ata janë të pandalshëm dhe të etur për të ndryshuar balancat e pushtetit në Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. Duke u shtirur si pro-perëndimorë ata po punojnë për të kthyer influencat e Lindjes.

Shqipëria dhe Shqiptarët janë parë historikisht nga perëndimi si element balancues të ekspansionit serbo-rus në Ballkan. Bashkëpunimi i tij (Ramës) me nacionalistët serbë në emër të modernizmit dhe paqes, mos bashkëpunimi dhe mungesa e përkrahjes për Kosovën, tregon se sa poshtë ka arritur projekti i Shqiptarizmit për shekullin e 21-të. Dhe nuk janë Shqiptarët, por një individ i kapur, vasal dhe aventurier që kërkon të hyjë në histori duke bërë veprime kontroversiale. Por historia do ta gjykojë ashpër!

EMISIONET