Sulmi me armë ndaj Top Channel na frikëson të gjithëve

Sulmi me armë ndaj Top Channel na frikëson të gjithëve

Sulmi me armë ndaj televizionit Top Channel është një akt që na kërcënon dhe frikëson të gjithëve. Këtu nuk hyn fare diskutimi sa e pavarur është një media, çfarë politike editoriale mban, si e ndryshon apo në favor të cilit interes e përdor. Media patjetër ka shumë probleme, por ngjarja nuk duhet të zbutet duke përdorur këto argumente.

Ngjarja është më e rëndë dhe më e madhe se arsyet e mësipërme. Sulmi me armë ndaj televizionit më të madh në Shqipëri tregon qartë se krimi po hyn, kërcënon dhe vepron në çdo territor, edhe në atë që konsiderohet i paprekshëm.

Sulmi me armë tregon se sot gjykata për të vlerësuar punën e një televizioni dhe gazetari nuk është më bordi i televizionit apo Autoriteti i Mediave Audiovizive, por bandat.

Bandat nuk dinë dhe as duan të gjykojnë nëse një lajm është i vërtetë, i balancuar dhe me çfarë cilësie raportohet. Ato shohin interesat e ngushta: na prish apo jo punë? Nëse i prish punë, përgjigjja është kërcënimi dhe eliminimi.

Kjo është një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në historinë e medias të viteve të demokracisë në Shqipëri. Krahasimi mund të bëhet vetëm me Kolumbinë e Meksikën apo me sulmet terroriste në Francë. Kjo ngjarje frikëson çdo gazetar që ka për të raportuar një lajm i cili prek interesa të krimit, pasi kushdo sot do të pyesë veten: ta them apo ç’më duhet mua?

Prandaj lajmësi nuk preket. Gazetaria është marrëveshja e heshtur që të gjithë pjesëmarrësit e një shoqërie kanë lidhur me njëri-tjetrin për të pasur garancinë e fundit se nëse shteti bëhet autokratik, bandat kapin drejtësinë, shoqëria është në kaos dhe askush nuk bën asgjë, atëherë na duhet gazetari, na duhet media për të ngritur në këmbë opinionin publik.

Kjo marrëveshje sot sapo u thye.

Krimi nuk po pyet më për askënd. Kanë vdekur qytetarë të pafajshëm që punojnë për të nxjerrë jetesën, janë sulmuar biznese, janë kërcënuar politikanë, është shtënë mbi gazetarë dhe tani po sulmohen edhe televizionet. Guximi për të shkuar kaq larg është po kaq i frikshëm!

Në të gjithë këtë situatë, i pari që duhet të kërkojë falje është kryeministri: për gjuhën e urrejtjes të përhapur kundër gazetarëve dhe mediave, tentativat për të kapur dhe përdorur mediat duke zhvlerësuar shërbimin publik dhe rëndësinë që ato kanë, dhe për indiferencën institucionale të treguar ndaj ngjarjeve të tmerrshme mafioze që kanë ndodhur kohët e fundit!

Ngushëllime për familjen e viktimës dhe solidaritet me kolegët!

EMISIONET