11 Maji mund të shihet edhe si një "Win - Win"

11 Maji mund të shihet edhe si një "Win - Win"

Të mendojmë për një moment se Sali Berisha në prag dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 Majit:

● nuk kishte prioritet kryesor fitoren e zgjedhjeve nga PD dhe rikthimin si Kryeminister (Kujtoni se ai nuk kopjoi as vetveten e vitit 2005 duke mos bërë kështu asgjë të ngjashme. Nuk krijoi front unik opozitar, nuk ndërtoi skuadër të re të ngjashme me KOP-in e famshëm dhe as nuk e hapi partinë ndaj shoqërisë. Nuk dinte ta kopjonte vetveten? Nuk dinte të ofronte një kandidat tjetër për Kryeministër duke ndenjur vet pas tij? E vështirë për tu besuar ndërsa më shumë gjasa ka që thjesht ky nuk ishte objektivi kryesor)

● kishte për objektiv lehtësimin e pozitave dhe raporteve të tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Kujtoni kontratën e lobimit 6 mln usd të cilën çdokush e kupton se do ishte autogol në mes të fushatës në raport me perceptimin publik. Një lider me eksperiencë nuk e bën diçka të tillë pa dashje por thjesht kur qëllimi e justifikon mjetin);

● kishte për objektiv krijimin e një Grupi Parlamentar të konsoliduar dhe besnik ndaj tij. (Kujtoni se si primaret u tretën dhe më të votuarit brenda anëtarësisë nuk u përfshinë në lista. Besnikëria prevaloi mbi pëlqyeshmërinë. Nuk ka dyshim se një lider me eksperiencën e Berishës e di mirë koston e kësaj vendimmarrje. Sërish vendimi merret sepse garanton qëllimin)

● kishte për objektiv nxjerrjen jashtë Parlamentit të Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeajt etj.;

● kishte për objektiv tretjen e PL-së përmes lënies jashtë Parlamentit të Ilir Metës ndërsa Monika Kryemadhi gjithashtu nuk do ishte më deputete;

● kishte për objektiv dështimin e çdo alternative politike të re opozitare që del përtej rrymës zyrtare të PD;

MARRË NË KONSIDERATË faktin se sot në 27 Maj, Berisha nuk është Kryeministër por;

● ka pozita relativisht më të relaksuara në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës;

● ka një grup parlamentar besnik me 50 anëtarë;

● sheh jashtë Parlamentit Lulzim Bashën, Enkelejd Alibeajn etj.;

● sheh jashtë Parlamentit Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Shpëtim Idrizin, Dashamir Shehin;

● sheh të dështuar lëvizjet e reja si "Nisma - SHB", "Lëvizja Bashkë", "Mundësia", 4 mandatet e të cilëve nuk kanë asnjë vlerë politike kushtëzuese dhe nuk ka shanse të kthehen në alternativën kryesore opozitare;

● ka në dorë sërish në mënyrë ekskluzive "çelësat" e opozitës shqiptare por dhe fatin e nesërm të saj përballë një mazhorance në mandatin e katërt me një super pushtet dhe potencialisht mbi 83 kartona në Parlament;

DUKE PRANUAR se suksesi apo dështimi varen nga objektivi që i ke vendosur vetes, lind pyetja: Berisha ka humbur apo ka fituar?

Mos ndoshta 11 Maji ishte një Win - Win? Jo detyrimisht, por mund të shikohet edhe kështu!

EMISIONET