"Nuk kanë nxjerrë tezga as në Rusi dhe as në Kinë për vaksinat", Rama u përgjigjet kritikëve dhe ironizon Presidentin për dekoratat
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk do ta vijohet me vaksinimin e të moshuarve pa mbaruar me ata mbi 80 vjeç.
Rama: Janë të moshuar shumë të njohur dhe një pjesë tjetër të moshuar të sjellë nga mjekët e familjes. Qëllimi është që procesi të vazhdojë pa ndërprerje. Do të varet shumë nga dozat që kemi në dispozicion. Nëse bëjmë llogarinë me dozat që kemi siguruar deri tani sigurisht që është një tjetër llogari, nëse e bëjmë llogarinë me dozat që unë kam shumë besim që në ditët dhe javët në vijim do të sigurojmë plus, llogaria është ndryshe.
Teksa të parët nga kjo grupmoshë që morën vaksinën anti-Covid ishin personalitete, Rama tha se nuk ka asnjë diskriminim.
Rama: Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj diferencimi dhe diskriminimi sepse këta njerëz i përkasin kësaj kategorie. Po të shikoni personat që janë në sallë janë njerëz shumë të njohur dhe krejt të panjohur, janë njerëz që vijnë nga rruga e kontributeve të vyera për këtë vend, janë dhe njerëz që vijnë nga rruga e tyre që janë në atë moshë. Kjo do të vazhdojë gjatë gjithë ditës.Do të bëhet për të gjithë, nuk do të zbritet më poshtë pa përfunduar kjo kategori.
Shefi i qeverisë e shfrytëzoi këtë çështje për të sulmuar edhe njëherë presidentin.
Rama: Më vjen keq për zhurmën e padenjë dhe të neveritshme të pseudopersonaliteteve që kanë akses në ekrane, portale, kanë akses nëpër kanale që në mënyrën më çnjerëzore përhapën një tym krejtësisht të panevojshëm. Këta njerëz që vaksinohen sot janë të gjithë në kategorinë e + 80 vjeçarëve. Janë 20 e pak persona që i kanë dhënë kaq shumë vendit dhe shoqërisë. Nuk duhet të presim që të ndahen nga jeta për tu mbajtur fjalimet, për tu treguar kujtimet dhe për tu dhënë dhe dekoratat madje sikurse është bërë një trend qesharak në Presidencën e Republikës por të bëjmë atë që mund të bëjmë sot për sot.
Por jo të gjithë personalitetet mbi vjeç ishin njoftuar për vaksinën, si studiuesi Xhevat Lloshi dhe aktorja Edi Luarasi.
Rama: Faleminderit për njoftimin që na dhatë, me siguri ata dhe të tjerë do të kenë mundësi të vaksinohen shumë shpejt.Këtu nuk na intereson politika, vetëm të vazhdojmë procesin.
I pyetur se kur do të vaksinohen mësuesit dhe policët, Rama u përgjigj:
Rama: Do të vazhdojmë siç e kemi thënë me më të moshuarit dhe pastaj paralelisht këto kategori gjithmnonë bazuar në dozat që do të kemi në dispozicion. Rëndësi ka që me dozat në dispozicion do të përfudojmë plotësisht të gjithë vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ndërkohë po punojmë çdo ditë, çdo natë për të garantuar më shumë doza më shpejt.Kemi arsye të jemi besimplotë që do t'ja dalim të kryejmë vaksinimin e plortë brenda 14 muajve, një ambicie e madhe duke pasur parasysh që dozat nuk janë aty.
Një përgjigje e pati edhe për ata që e këshillojnë të blejë vaksinën kineze apo ruse.
Rama: Dua tu them disave që thonë shkoni merrini në Kinë dhe Rusi. Nuk kanë nxjerrë tezga as në Rusi dhe as Kinë. Ka shumë lajme, politikë dhe propagandë për vaksinat. E vërteta është se vaksina nuk ka. Jemi besimplotë se do të vazhdojmë vaksinimin pa ndërprerje.
