Mourinho sot në Londër për të nënshkruar me Chelsea
Zhoze Murinjo tashmë është në Londër dhe gjatë ditës së Hënë do të firmosë kontratën e re katërvjeçare për të marrë drejtimin e Çelsit. Tekniku portugez ka mbërritur ditën e Djelë në aeroportin e “Hithrou” në kryeqytetin britanik, ndërsa mendohet se menjëherë është drejtuar për në takimin që do të caktojë kushtet e kontratës së re.Tashmë është e sigurt se portugezi do të firmos sot me londinezët, edhe prej faktit që konfirmimi erdhi nga ish-punëdhënësi i tij, Florentino Perez, i cili tha për mediat britanike se Murinjo kishte një akord për t'u bërë trajneri i ardhshëm i Çelsit.Ndërkohë, vetë portugezi la të nënkuptohej nëpërmjet një prononcimi për "Journal De Noticias", se dështimi i tij te Reali, kishte ardhur nga mungesa e profesionalizmit të lojtarëve të madrilenëve, e sidomos nga mungesa e frymës së grupit."Unë personalisht besoj se suksesi varet nga objektivat e arritur nga një grup. Por tani po bëhet gjithnjë e më e vështirë që një grup të punojë i bashkuar. Vlerat kanë humbur, profesionalizmi dhe edukimi po përkeqësohen gjithnjë e më shumë", ishin fjalët e trajnerit, një thumbim i qartë ndaj ish-lojtarëve të tij.