Ujkani drejt Torinos, Bogu dhe Çani drejt "Seria B"
Paraqitja e shkëlqyer që kuqezinjtë tanë kanë bërë me kombëtaren shqiptare në ndeshjet e fundit, ka bërë që shumë skuadra ndërkombëtare të kërkojnë shërbimet e tyre. Lojtarët të cilët aktualisht janë në qendër të merkatos verore, janë dy bomberat e kuqezinjve, dhe dy gardianët e portës së kombëtares.Veterani dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohrave me fanellen kuq e zi, Erion Bogdani, është pranë një rikthimi te ish skuadra e zemrës, Regjina. Mungesa e hapsirave në skuadrën e Sienës, e cila vitin e ardhshëm do të luajë në Serinë B, kanë bërë që 36 vjeçari të shikojë për një skuadër tjetër, e cila i garanton një vend në formacion të paktën edhe për 1 vit.Sipas mediave italiane thuhet se rikthimi i Bogut në radhët e Regjinës, është vetëm çështje kohe. Po ashtu në Serinë B, vitin e ardhshëm mund të luajë edhe bomberi tjetër i kuqezinjve, Edgar Çani, i cili te skuadra e Katanias nuk ka gjetur hapsirat e mjaftueshme për pjesën e sezonit në të cilën ai kaloi në radhët e klubit Italian. Skuadra e ardhshme e shtatlartit të kuqezinjve mund të jetë ajo e Trapanit, e cila sapo është ngjitur në Serinë B dhe pretendon të rikthehet mes më të mirave të kësaj kategorie.Për sa i përket dy portierve të kombëtares sonë, Ujkanit dhe Berishës, i pari është pranë një kalimi në radhët e skuadrës së Torinos. Klubi ku luan aktualisht mesfushori Migjen Basha, pritet që në orët e ardhshme të bëjë një ofertë zyrtare për gardianin kuqezi, kartoni i të cilit është i ndarë mes Palermos dhe Kievos. Në rast se arrihet kjo marrveshje mes klubeve italiane, atëherë Ujkani mund të jetë lojtari i dytë shqiptar që do ti bashkohet skuadrës së granatës. Ndërsa për sa i përket Berishës, pistës për një kalim të tij në radhët e skuadrës së Fulhem në Angli, lajmin e kanë konfirmuar mediat angleze, të cilat theksojnë se portieri me origjinë kosovare nuk është më në planet e drejtuesve të Fulhem.Merkatua rreth kuqezinjve pritet të bëhet më interesante pas sifdës ndaj Norvegjisë, ku pritet një tjetër paraqitje e mirë e kombëtares sonë.