Podolski shënon golin më të shpejtë në historinë e kombëtares gjermane
Lukas Podolski, ka shënuar një nga golat më të shpejtë në historinë e futbollit. Bomberit gjerman i janë nevojitur vetëm 9 sekonda kohë për të kaluar në avantazh kombëtaren e tij, në miqësoren ndaj Ekuadorit, e cila ka përfunduar me rezultatin 4-2 dhe ku sulmuesi ishte protagonisti kryesor duke hyrë në historinë e përfaqësueses me golin më të shpejtë të saj.Futbollisti i Arsenalit shënoi dy gola dhe dha një asist në dy golat e tjerë të shënuar nga Lars Bender në 23 minutat e para, për të vulosur fitoren 4-2 të kësaj sfide, ku në fakt paraqitej e ashtuquajtura "Gjermania B", pasi mungojnë lojtarët e Bajern Mynih e Shtutgart, pa harruar edhe dyshen Ozil-Khedira të Real Madrid, të cilët janë ende në aktivitet në klubet e tyre.Ndërkohë përveç miqësores së Gjermanisë me Ekuadorin, edhe Anglia ka zhvilluar një të tillë kundër Irlandës. Kombëtarja e “Tre Luanëve”, nuk është paraqitur edhe aq mirë në derbin britanik ndaj Irlandës, një sfidë që mungonte prej 18 vitesh për shkak të problemeve të vazhdueshme mes tifozerive të dy palëve. Takimi ka përfunduar me rezultatin 1-1, falë dy golave në pjesën e parë të shënuar nga Long për irlandezët dhe Lampard për anglezët. Megjithatë, komentet pas ndeshjes nuk kanë qenë pozitive për Anglinë e Hodgson e cila aktualisht po vuan sidomos në lojën ofensive, duke hedhur dyshime të mëdha mbi aftësinë për të fituar grupin eliminator të Botërorit 2014.Një tjetër ndeshje interesante miqësore e luajtur mbrëmë, ishte ajo mes SHBA dhe Belgjikës, ku evropianet fituan me rezultatin 4-2.