SHBA mund Gjermanin 4-3, Klisman mund ish kombëtaren e tij

Jurgen Klisman ka fituar derbin miqësor kundër Hoakim Lëv, ish zëvendësit të tij në radhët e kombëtares gjermane dhe aktualisht trajner i këtyre të fundit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mposhtur mbrëmë Gjermaninë me rezultatin 4-3 në miqësoren e cila u ka shërbyer të dy trajnerve për të aktivizuar lojtarë të rinjë dhe për të parë rendimentin e skuadrave. Amerikanët, të cilët drejtohen tani nga ish tekniku i kombëtares gjermane, Klisman , fituan përballë "Pancerave" në një ndeshje të tejmbushur me gola dhe emocione.Vendasit ishin më kërkues që në fillimet e lojës ndërsa arritën të kalojnë në avantazh të dyfishtë në minutat 13 dhe17 me anë të Altidore dhe autogolit të portierit Ter Stegen. Me këta dy gola mbyllet pjesa e parë e këtij takimi ndërsa me fillimin e fraksionit të dytë janë gjermanët që gjejnë rrugën e rrjetës. Të besuarit e teknikut Lëv, shkurtojnë diferencën me anë të Vesterman në minutën e 51, por Sttetet e Bashkuara të Amerikes u kundërpërgjigjën me një tjetër dygolësh të shënuar kësaj radhe nga sulmuesi i mirënjohur Dempsey në minutat 60 dhe 64.Fundi i takimit do të fliste më shumë për skuadrën e Gjermanisë e cila në 10 minuteshin e fundit do të arrinte të shkurtonte diferencat por pa arritur të marrë barazimin. Golin e dytë për skuadrën e Pancerave e shënoi në minutën e 80 Kruse, ndërsa dy minuta më vonë është talenti Draksele që e çon rezultatin në 4-3.Minutat në vijim edhe pse do të shoqërohen me raste të shumta, gjermanët nuk do të arrijnë që të barazojnë shifrat. Tekniku Klisman triumfon kështu ndaj ish kombëtares së tij në një ndeshje e cila dhuroi gola dhe spektakël pavarësisht se në fushë trajnerët kishin hedhur mjaft emra të rinjë.