Tomini: Mund të vlerësohet heqja e maskës në mjediset e jashtme
Numri i ulët i infektimeve me Covid-19 dhe ulja e vdekshmërisë kohët e fundit ka krijuar idenë te qytetarët, se gjendja pandemike është në përmirësim.
Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini thotë se sipas saj mund të vlerësohet heqja e maskës në mjediset e jashtme. Ajo thekson se deri në këto momente nuk është gjykuar ende lehtësimi i masave të këtij niveli.
"Ndoshta në gjykimet e ekspertëve dhe të Komitetit dhe në gjykimin tim personal, duke parë nivelin maksimal të përkrahjes së popullatës për sa i përket imunizimit, qoftë edhe vetëm me një dozë, që jemi në nivelin e 22 me 23%. Apo qoftë edhe me dy doza që jemi në nivelin, gati 11%. Sigurisht që mund të vlerësohet maska në kushtet e jashtme, në mjediset e jashtme. Megjithatë, duhet parë dhe duhet vlerësuar në dinamikë. Deri në këto momente nuk e kemi gjykuar për lehtësime masash të këtij niveli."
Eugena Tomini ka thënë në intervistën për Ora News, se pritet që masat të lehtësohen në fund të muajit maj.
