"Nuk kam koment për shpalljen "non grata" të Berishës", Ambasadori gjerman: Shqipëria ka plotësuar kushtet për fillimin e negociatave

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, nuk pranoi të komentojë vendimin e Departamentit Amerikane të Shtetit për shpalljen "non grata" të ish kryeministrit Sali Berisha ku u pyet për këtë çështje në Maliq.

"Jo nuk kam komente, jam këtu për të vizituar këtë projekt," tha ambasadori.

Pasi inspektoi zbatimin e një projekti të mbështetur nga KFW gjermane, Diplomati tha se rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë gjermane për çeljen e negociatave mes BE e Shqipërisë, pasi gjykojnë se kushtet janë plotësuar.

"Le të themi që unë shpresoj që bisedimet e anëtarësimit të nisin sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është një proces që kërkon mjaft punë, bashkëpunimin e gjithë aktorëve. Projekte të tilla çojnë në plotësimin e standardeve  europiane. Në emër të qeverisë federale për të cilën mua më lejohet të flas. Qeveria federale ka thënë që kushtet janë plotësuar tanimë. Të njëjtën gjë konfirmoi dhe BE. Unë jam optimist për nisjen e negociatave. Por ky është një proces që kërkon dakordësinë e të gjitha vendeve. Ministri federal është pro këtyre negociatave," u shpreh ambasadori.

Të dielën ambasadori i BE, Luigi Soreka deklaroi nga Korça se Shqipëria është më pranë se kurrë për fillimin e fillimin e negociatave dhe se ka bërë hapa të rëndësishëm, përpara, në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Por vendimi për çeljen e negociatave pritet të merret më 24-25 qershor, kur do mblidhen krerët vendeve anëtare të Bashkimit Europian.