Tomini: Pritet lehtësim masash anticovid në fund të Majit

Fundi i muajit maj pritet të shënojë edhe lehtësim të masave anticovid në vendin ton.

Zv ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini deklaroi se mes ekspertëve të shëndetësisë është duke u marrë në konsideratë ndryshimi i orës policore.

"Ndërkohë që fundi i majit, shpresojmë në lehtësim të masave në vijim përkundrejt orarit , biznese apo edhe masat e tjera që Komiteti i Ekspertëve është duke i gjykuar," tha Tomini.

Në opinionin e saj, maska në mjedise të hapura ka ardhur koha të hiqet, por i takon komiteti të vendos.

"Mund të vlerësohet maska në mjediset e jashtme," tha ajo.

Vaksinat kineze të mbërritura së fundmi në Shqipëri po përdoren vetëm për dozë të dytë ndërsa shpërndarja po bëhet duke nisur me datat që u shtynë për herë të parë.

"Do të vijojë me të gjithë fashën apo popullatën që gjatë këtyre ditëve ka pasur këtë ngërçin me nivel më të ulët të aplikimit të dozave të dyta," tha Tomini.

 Në vijim pritet të vijnë doza të tjera vaksinash kineze, që do të përdoren për injektimin e dozës së dytë ndërsa pjesa tjetër për uljen e pragut të vaksinimit.

"Nga një stok i madh i kësaj sasie, do të shikohet nga grupi i ekspertëve edhe për të ulur fashën përkundrejt popullatës," tha Tomini.

Në shërbimin infektiv në pediatri, aktualisht janë të shtruar 2 fëmijë në gjendje jo të rëndë shëndetësore.

Situata e qetë pasndemike ka futur në diskutim edhe situatën e spitaleve covid në rrethe,  për të cilat Tomini u shpreh se aktualisht nuk ka asnjë vendim konkret.

"Duke besuar dhe shpresuar në një situatë akoma më të qetë me një nivel të ulur të rasteve pozitive, por edhe rasteve që kërkojnë hospitalizim do të gjykohet mbi mbylljen e spitaleve rajonale por në një moment të dytë," tha ajo.

Sa i përket imuniteti të tufës, Tomi tha se 23 përqind e popullsisë janë imunizuar vetëm me një dozë vaksine, ndërsa rreth 11% me të dyja dozat.