"Kemi shpresë për një brez të ri, të emancipuar në reagim dhe sjellje qytetare"
Ditën e djeshme u realizua marshimi kundër dhunës seksuale, duke marrë shkas nga rasti i fundit i përdhunimit në Mirditë. Në marshim morën pjesë qytetarë të moshave të ndryshme, djem, vajza, fëmijë dhe të moshuar.
Pedagogia Majlinda Keta, e cila ishe pjesëmarrëse në marshimin për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave, thotë se brezi i ri ka një këndvështrim të zhvilluar dhe civilizuar për sa i përket edukatës qytetare. Ajo tregon për emisionin Ditë e Re, me Arjon Muça dhe Arjola Shehu, se ka shpresë për një brezë tjetër në reagim dhe sjellje qytetar.
"Neve sot duhet t'iu themi faleminderit prindërve të asaj vajze, që gjetën kurajon për ta denoncuar këtë ngjarje të shëmtuar. Dje në marshim krahas atij shpirti rinor ka pasur mama me vajza të vogla dorë për dore dhe tjetrën në karrocë. Dje kam thënë me plotë gojën, mbase do shikojmë një gjeneratë të re me kulturë të re protestuese, jo vetëm për kulturën e shkrimit të mesazheve. Më dukeshin si grupe të rinjsh në pjesëmarrje për tu shprehur bashkë. Kishte shumë djem. Kjo tregon se kemi shpresë për një brez tjetër në reagim dhe sjellje qytetare."
Ajo thotë se sipas të dhënave katër në pesë personat që abuzojnë dhe abuzohen janë të 30 viteve të fundit të demokracisë. Sipas pedagoges, shoqëria ka gabuar diku, diçka nuk ka bërë mirë.
"Nuk janë pak 30 vite për të investuar, për të mos ardhur në këtë ditë. Të dhënat për fatin e keq janë shumë të rënda. Po të mendosh që katër nga pesë që abuzohen janë të viteve të demokracisë tregon, që ne diçka nuk kemi bërë mirë akoma. Nuk ka edukuar familja djalin, nuk ka edukuar shkolla qytetarin, nuk ka dënuar drejtësia në mënyrën e duhur dhe te fortë, që fenomeni të frenohet dhe nga forca goditëse."

