Deklarimi i të ardhurave të siguruara jashtë Shqipërisë, afati i fundit 30 Qershori

Të gjithë individët që kanë siguruar të ardhura jashtë Shqipërisë gjatë vitit që lamë pas kanë afat deri në datën 30 qershor për t’i deklaruar ato.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vënë në dijeni përmes një njoftimi subjektet, të cilët kanë realizuar të ardhura jashtë Shqipërisë dhe janë subjekt i Deklarimit Vjetor të të Ardhurave 2020 se duhet të raportojnë pranë tatimeve të ardhurat bruto dhe tatimin e paguar për to.

Sipas ligjit çdo individ rezident në Republikën e Shqipërisë, i cili përfiton të ardhura brenda apo jashtë vendit në shumën mbi dy milionë lekë në vit, është i detyruar të paraqesë këtë deklaratë.

Detyrimin për të raportuar e kanë gjithashtu edhe personat të ardhurat e të cilëve nuk i kalojnë 2 milionë lekë por gjatë vitit 2020 kanë qenë të punësuar në më shumë se 1 punëdhënës.

Tatimet sqarojnë se pasqyrimi i të ardhurave, përveç se është një detyrim ligjor i çdo individi që përfshihet në subjekt është edhe një garanci më shumë për të justifikuar pasurinë e tij.

Deklarata vjetore e të ardhurave, plotësohet nga individi që mbart detyrimin për të deklaruar ose ai ka të drejtë të emërojë me prokurë, përfaqësuesin e tij ligjor për të kryer këto procedura.

Për t’u identifikuar si deklarues, si kod fiskal i individit shërben numri i identifikimit personal në letërnjoftimin e tij.

Në rast se individi, konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të formularit, ka të drejtë që brenda 3 muajve nga data e dorëzimit, të bëjë korrigjimet e nevojshme deri në dy herë pa u penalizuar.

Nëse tatimpaguesi nuk e korrigjon vetë deklaratën individuale brenda afatit 3-mujor atëherë ndaj tij aplikohen sanksione.