Sot afati i fundit për tu paraqitur në Komisionin hetimor, Presidenca i përgjigjet Kuvendit: E humbët mundësinë
Presidenti i Republikës Ilir Meta i është përgjigjur letrës së Komisionit Hetimor që e kërkoi në seancë dëgjimore. Në një shkresë zyrtare, Presidenti shkruan se ky komision e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohur këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht.
"Para së gjithash, ju bëjmë sërish me dije se, Kuvendi i Shqipërisë e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohur këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht.
Me veprimtarinë e tyre të zhvilluar në shkelje të parashikimeve të detyrueshme për zbatim, Kuvendi e humbi mundësinë e dhënë nga Presidenti i Republikës për të respektuar Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit."
Gjithashtu në përgjigjen drejtuar Komisionit Hetimor thuhet se vullneti i Presidentit të Republikës është përcjellë tashmë dy herë.
" Gjithsesi, ju sjellim në vëmendje se, Presidenti i Republikës ka bërë të qartë qëndrimin e tij se, nuk bëhet palë me askënd në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit."
