Aksident në minierën e Bulqizës, babai i 4 vajzave në gjendje të rëndë, me helikopter në Tiranë

Një tjetër aksident është shënuar në një minierë private në Bulqizë.  Një minator rreth 37-vjeç, baba i katër vajzave mbeti i plagosur rëndë nëntokë, i cili është sjellë për trajtim të specializuar në Tiranë.

Një minator mbeti i plagosur rëndë mesditën e së hënës, 24 maj, në një minierë private në Bulqizë.

Valter Duriçi, 37 vjeç, baba i katër vajzave po punonte nëntokë në kohën kur u godit nga një masiv shkëmbi që u shkëput në galeri.

Për pasojë burri ka marrë plagë të rënda në kokë e krahëror.

Minatori mori ndihmën e parë mjekësore në spitalin lokal dhe më pas u transportua me helikopter drejt Tiranës për mjekim të specializuar.

Policia e Dibrës në një njoftim të parë vetëm raportoi aksidentin por pa dhe dhënë detaje për atë që ndodhi në minierë.

Hetimet thuhet se vijojnë, ndërsa pritet që ekspertët e Autoritetit Kombëtar i Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera të hedhin dritë mbi rrethanat e aksidentit nëntokë.

Aksidentet në minierat në qarkun e Dibrës kanë qenë të shumta në 5 muajt e parë të vitit, duke shkaktuar një viktimë dhe disa të plagosur.

Më 11 maj, tre minatorë u asfiksuan dhe njëri prej tyre u soll në Tiranë në gjendje të rëndë pasi u asfiksuan nga gazi i krijuar në galeri gjatë saldimit.

Të paktën 5 minatorë kanë humbur jetën përgjatë vitit 2020 në miniera, ku aksidenti më i rëndë u shënua në Selishtë të Dibrës me tre viktima.

Në 5 vitet e fundit, përllogaritet se janë më shumë se 30 minatorë që kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga aksidentet në galeri.