Enver Hoxha shfaqet në Përmet

Portreti i Enver Hoxhës doli sërish në publik në përkujtimin të 77 vjetorit të Përmetit të Kongresit.

"Lavdi Enver Hoxhës, lavdi Partisë Komuniste shqiptare, lavdi dëshmorëve, lavdi heronjve."

Të moshuar, nostalgjikë I thurën lavde diktatorit në ceremoninë ku ra në sy prania e ish presidentit Alfred Moisiu dhe Mirela Kumbaro si përfaqësuese e Partisë Socialiste në qeverisje.

"Enver Hoxha e ka bërë vetë historinë."

"Për mua ka mbaruar çdo gjë sepse kanë frikë nga emri i Enver Hoxhës."

Për tu distancuar me stil, Kumbaro tha se ajo është e brezit që ka rrëzuar diktaturën dhe se interpretimet historike dhe kontributin e gjithsecilit le ta vendosin historianët.

"Nuk kam asnjë lloj kompleksi, unë jam pjesë e brezit që rrëzoi diktaturës. E dyta unë nuk jam  historiane, nuk jam këtu për të shpjeguar historinë, pozicionin tim ndaj figurës së Enver Hoxhës e kam thënë me kohë edhe me vepra, dhe e treta lërini historianët ta shkruajë historinë," tha Kumbaro.

Kongresi i Përmetit i mbajtur më 24 maj 1944, zgjodhi qeverinë provizore, ndërsa konsiderohet si një prej vendimeve që instaluan regjimin komunist në Shqipëri.

Përkujtimi i kësaj date në vazhdimësi është përdorur nga nostalgjikët e regjimit komunist për të rikthyer në qendër të vëmendjes Enver Hoxhën dhe gjithë debatin që shkakton figura e tij.