PS:Qeveria dështoi me turizmin
"Në këtë hapje të sezonit turistik 2013 shqiptarët janë dëshmitarë të dështimit të radhës të kryeministrit në ikje. Ai dështoi me turizmin sepse degradoi në shumë sektorë thelbësor që lidhen me Turizmin, njeri prej tyre është mjedisi si pasuri kombëtare. Shqipëria sot, nuk ka ende një strategjie reale kombëtare të përfshirjes së mjedisit si komponente themelore për zhvillimin e turizmit. Në 2005, Sali Berisha premtoi zhvillim të qëndrueshëm. Sot Shqipëria është vendi unikal në Europë ku mungon zhvillimi i qëndrueshëm, ku burimet natyrore si toka, pyjet, shtretërit e lumenjve, bregdeti, peisazhi kanë pësuar degradimin më të madh" theksoi Baraj.
Ai theksoi më tej se në shumicën e qyteteve të mëdha si Vlora, Fieri, Durresi etj, mbetjet hidhen e digjen pa kriter, të përziera me mbetje të rrezikshme dhe spitalore, duke ndotur ujërat sipërfaqësorë e nëntokësorë si dhe ajrin urban.
"Edhe ky sezon e gjen territorin dhe peisazhin shqiptar të mbuluar nga plehrat, pasi Qeveria nuk ka bërë asgjë për të pastruar hedhurinat e pafund që mbushin rrugët, lumenjtë dhe bregdetin tonë. Rreth 110 km rrugë kombëtare rezultojnë me probleme ndotjeje nga mbeturinat urbane. Qesja plastike për të huajt është kthyer në simbolikën e lules në Shqipëri" shtoi Baraj.
Sipas tij, për Partinë Socialiste mbrojtja e mjedisit do të thotë zhvillim i qëndrueshëm, si vlerë në zhvillimin ekonomik, atë të shëndetsisë, të turizmit, të edukimit dhe të peisazhit.
"Objektivi ynë është krijimi i Inspektoratit Kombëtar të Pastrimit, që do të mundësojë një Shqipëri pa plehra, brenda mandatit të parë qeverisës. Pas 23 qershorit ne do të fillojmë një aksion të pandalshëm për të pastruar nga mbetjet territorin e Shqipërisë. Ne do të mundësojmë rehabilitim rrënjësor, të pyjeve, të shtretërve të lumenve, të pasurive ujore, duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm, të integruar dhe të përgjegjshëm të mjedisit. Do të ndalojmë derdhjen e ujërave të zeza në dete, liqene dhe lumenj, për të gjitha qendrat e mëdha urbane të vendit. Në angazhimin tonë do të përfshijmë dhe të gjithë elementët shoqërorë dhe qeverisës, biznesin, shkollën, shoqërinë civile, median, familjen dhe pushtetin lokal" tha Baraj.