Kreu i PS-së, Rama bashkëbisedim me gazetarët gjatë udhëtimit të tij në Berat
Kreu i selisë rozë, Edi Rama ka udhëtuar pasditen e sotme drejt qytetit të Beratit për të prezantuar zyrtarisht kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste.
Gjatë udhëtimit të tij për në Berat, kryesocialisti ka zhvilluar në autobusin me të cilin po udhëtonte një bashkëbisedim me gazetarët.
Në këtë bashkëbisedim Rama ka shprehur bindjen se në qarkun e Beratit, Partia Socialiste do marrë 6 deputetë. Ai ka theksuar se Berati është një nga zonat që meriton vëmendje të jashtë-zakonshme nga qeveria pas 23 Qershorit, pasi në këto tetë vite Berati ka patur një keqqeverisje nga qeveria aktuale.
Rama ka folur gjithashtu edhe për kandidaturën e Erion Braçes, duke e konsideruar atë si një pjesë të rendësishme të ekipit të “Rilindjes” në qarkun e Fierit.
“Erion Braçe është pjesë e rendësishme e ekipit tonë në qarkun e Fierit, atje i bashkohet Gramozit dhe Celibashit”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti tha se Berati është një qytet i trashëgimisë kulturore dhe se Partia Socialiste ka një program konkret për mbrojtjen e kësaj trashëgimie.
“ Ne jemi një skuadër ku secili është pozicionuar aty ku kërkojnë interesat e përbashkëta kombëtare. Skuadra jonë nuk ka të krahasuar me skuadrën e Partisë Demokratike. Partia Socialiste, është partia që do të çojë më shumë gra në parlament se të gjitha partitë e tjera. Ne jemi krenar që kemi promovuar idenë e kuotës për pjesëmarrjen e grave në politikë. Ne nuk i kemi promovuar emrat e grave për të mbushur listat në pjesën e poshtëme”, u shpreh Rama.
Ndër të tjera kreu i selisë rozë theksoi se Partia Socialiste është një forcë e deklaruar për aleancë me sipërmarrjen, dhe për këtë arsye, ajo do ti vendosi sipërmarrësit në piedestal.
Gjithashtu Rama tha se pas fitores së 23 Qershorit edhe Televizioni Publik Shqiptar do kthehet në një televizion model në shërbim të publikut.