PS, aktivitet për ditën botërore të nënës, Rama: Gjithçka jam, falë nënës time

Partia Socialiste ka organizuar sot një aktivitet me rastin e Ditës ndërkombëtare të nënës.Në fjalën përshëndetëse, kreu i PS-së Edi Rama ka shprehur mirënjohjen për të gjitha nënat ndërsa falenderoi edhe nënën e tij Anetën duke theksuar se gjithçka që ai është sot ia dedikon asaj.“Gjithçka jam dhe jam bërë ia dedikoj nënës sime. Unë nuk jam Abrahami,  emri i të cilit bën jehonë si emri i njërit prej liderëve më të mëdhenj që bota ka njohur në gjithë kohërat, por jehona e fjalëve të tij për nënën prek çdo pjesë të zemrës sime. Unë nuk jam as Xhorxh Uashingtoni, por doja të sillja këtu fjalët e tij për të ëmën dhe pse ai dinte diçka për rilindjen. Gjithçka jam ia di për nder nënës sime, gjithçka ia dedikoj asaj, intelektin, moralin, dhe kjo bën jehonë në çdo gërmë në zemrën time” theksoi Rama.Kryesocialisti ka theksuar më tej se mësimi që merr njeriu prej nënës e tejkalon çdo shkollë apo universitet.“Është privilegj që unë kam mundësinë që të them fjalët e mia për nënën time dhe të ndihem me shumë fat që ajo është ende pranë meje.  Ne nuk jetojmë në një botë perfekte por jetojmë në një botë që duhet ta ndryshojmë çdo ditë.  Pa nënat ne nuk do ishim këtu ku jemi dhe kaq sa jemi. Mësimi nga nënat është forma më e lartë e mësimmarrjes që e tejkalon çdo shkollë. Çdo universitet ashtu sikundër falja e nënave për ne në momentet ku gabojmë është forma më e lartë e faljes në këtë pjesë të jetës tokësore që na ka rënë ta kalojmë falë atyre që na kanë sjellë në jetë” theksoi Rama.Kryesocialisti Rama premtoi se kur PS-ja do të vijë në pushtet, familjet e kundërshtarëve politik nuk do të bëhen pjesë e luftës politike."Premtim që nesër ne në krye të punëve të vendit do të kemi parasysh nënat, se familjet e kundërshtarëve tanë dhe nënat e tyre nuk e meritojnë të bëhen pjesë e luftës politike, nuk e meritojnë të lëndohen për shkak të angazhimeve të fëmijëve të tyre” shtoi Rama.Në aktivitet morën fjalën dhe shumë deputetë të Partisë Socialiste ku çdonjëri prej tyre tregoi eksperiencën me nënën e tij dhe detyrën si politikan.