Peqin, një 19 vjeçar arratiset nga burgu
Vetëm tre ditë pasi Ilir Avdillari dështoi ti shpëtojë drejtësisë duke mos kthyer në burgun e Fushë Krujës, një ngjarje identike është shënuar në atë të Peqinit.Një i ri, i cili vuante dënimin në institucionin e vuajtjes së dënimeve penale, nuk është rikthyer në qeli pas lejes.Burime të "Ora News" thonë se bëhet fjalë 19 vjeçarin Romeo Rustemaj nga qyteti i Vlorës, i dënuar me 10 vjet burg për veprën penale të vrasjes në rrethana të cilësuara. 19-vjeçari kishte vrarë një efektiv policie, ndërsa mësohet se kjo ishte hera e parë që kishte përfituar një leje shpërblyese. Ai duhet të ishte rikthyer në qeli ditën e sotme, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. Vonesa ka bërë që autoritetet e burgut të Peqinit të japin alarmin dhe të ngejnë në këmbë strukturat për kapjen e 19 vjeçarit. Rustemaj është shpallur person në kërkim dhe në bazë të krimit për të cilin ishte dënuar konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë.Ngjarja është gati identike me atë të ndodhur tre ditë më parë në Burgun e Fushë Krujës, ku Ilir Avdillari i dënuar për vrasje tentoi të arratiset pas një leje shpërblyese. Ky i fundit, u kap pas dy ditësh arrati në afërsi të Rrogozhinës. Tentativa e ish-anëtarit të Bandës së Yzberishtit për arratisje i kushtoi pezullim nga detyra drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, Ligor Prifti.