PS: Qeveria ka rrënuar bizneset dhe ka rritur borxhet

Partia Socialiste ka akuzuar sërish qeverisë se ka rrënuar bizneset dhe se ka rritur borxhi publik.Në një konferencë për shtyp, Lindita Nikolla ka theksuar se borxhi publik i qeverisë është më i lartë se 62 % i shpallur nga qeveria.“Shumë borxhe të shtetit, si përshembull kontratat e palikuiduara ndaj biznesit, nuk përfshihen tek shuma e borxhit publik të shpallur. Këto forma të detyrimeve të shtetit janë edhe më të rrezikshme për ekonominë dhe biznesin, sepse nuk vijnë nga një marrëveshje ligjore borxhi, por vijnë kryesisht nga një vullnet i munguar i shtetit për të mos zbatuar ligjin dhe detyrimet ligjore përkatëse. Një nga detyrimet kryesore është pagesa e sipërmarrësve të investimeve publike dhe çdo lloj furnitori të shërbimeve publike. Përfaqësuesit e dhomave të tregtisë dhe biznesit shprehen se qeveria i ka më shumë se 200 milionë Euro (28 miliardë lekë) borxh rreth 660 kompanive të ndryshme. Kjo vlerë është diçka më shumë se investimet publike të financuara nga qeveria në 2012 (rreth 27.4 miliardë lekë).Pra, rezulton se qeveria gjatë gjithë 2012 ka investuar vetëm me paratë e bizneseve dhe këta të fundit janë shtyrë drejt rrënimit. Në fakt, qeveria për shkak të arkëtimeve të ulta tatimore gjatë muajve të fundit ka marr borxh jo për të kryer investime publike, por për të paguar detyrimet minimale të shtetit, për të paguar rrogat dhe pensionet” tha Nikolla.Sipas saj pas 23 qershorit situata ekonomike në vend do të ndryshojë nën qeverisjen socialiste.“Partia Socialiste do të mundësojë një model të ri partneriteti me biznesin e sipërmarrjen, bazuar në një axhendë katërvjeçare mbështetur në dialogim dhe bashkëpunim për të zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme shqetësimet e tyre dhe krijuar klimë lehtësuese për bizneset; kontratë të qartë me sipërmarrësin dhe krijimi i kushteve që eliminojnë krejtësisht shantazhimin e tij nga administrate e pushteti; rimodelimin e të gjithë zinxhirit që bën të mundur rimbursimin e TVSH-së. Qeveria e re e majtë do të ndërtojë një aleancë në partneritet të plotë me sipërmarrjen, në mbrojte të interesave kombëtare dhe publike, në mbrojte të interesit të sipërmarrjes dhe bashkërisht në mbrojtje të vizionit për të ndërtuar një model të ri zhvillimi dhe marrëdhëniesh ekonomike” shtoi Nikolla.