Vilanova: Punën time gjykojeni pas një viti!

Tito Vilanova u ka bërë të qartë kritikëve të tij se nëse duan të vlerësojnë atë që ka bërë të Barcelona, duhet të presin deri në sezonin e ardhshëm. Katalanasit janë vetëm dy pikë larg titullit kampion të radhës, por janë përballur me kritika të shumta për shkak të eliminimit nga Liga e Kampioneve, ku pësuan dy humbje të thella 4-0 dhe 3-0 përballë Bajern Mynih."Njerëzit duhet të përmirësohen dhe të jenë vetë-kritikues. Por ky ka qenë një vit i vështirë me dëmtimet. Vetë trajneri ka munguar për rreth dy muaj, ndaj nuk ka qenë aspak e lehtë", shpjegoi ai."Vitin e ardhshëm do t'i bëjmë gjërat ndryshe, por kjo është normale pasi ky ishte viti im i parë. Po të mos e kishim menaxhuar mirë dëmtimin e Mesit, ai mund të mos kishte qenë i gatshëm për të na ndihmuar në ndeshjen kundër Betis", shpjegoi Vilanova, duke iu referuar faktit që la Mesin në stol gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Bajernit, ndërsa mbrëmë argjentinasi luajti si zëvendësues duke shënuar dy golat në suksesin 4-2.Ironikisht, Vilanova mund të mos jetë pranë skuadrës së tij kur Barcelona të shpallet kampion. Ai ka planifikuar që të mërkurën të zhvillojë një vizitë për kontroll shëndetësor në Nju Jork, pikërisht në ditën kur Real Madrid luan ndaj Malagas. Nëse skuadra e Murinjos nuk arrin të fitojë në këtë sfidë, Barcelona shpallet matematikisht kampione.