Merkatua e verës spektakolare dhe me plot surpriza
Një kalim i mundshëm i Jose Mourinhos te Chelsea do të sillte një efekt domino në botën e futbollit jo vetëm përsa i përket ndryshimit të trajnerëve dhe pankinave por edhe për disa futbollistë që për momentin janë në qëndër të zërave të merkatos, ose më mirë të disa bomberave.Nëse "Special One" rikthehet në Londër emri i parë që do të kërkojë është ai i Radamel Falcaos, çka do të detyrojë Atletico Madrid të kërkojë pasuesin e tij. Mesa duket ai sërish do të vijë nga Porto pasi "Los Colchoneros" preferojnë Jackson Martinez. Por gjërat nuk shkojnë mirë edhe për sulmues të tjerë me emër.Zlatan Ibrahimoviç nuk ndjehet mirë te PSG dhe po tenton largimin nga Franca, po ashtu edhe Suarez, Sanchez, Dzeko apo edhe Mario Gomez. Të gjithë këta me shumë mundësi do të ndërrojnë fanellë gjatë merkatos së verës.Por ka edhe nga ata, që pavarësisht kostos së lartë të kartonit, po "çmendin" klubet e Europës. Talenti malazez i Fiorentinës Stevan Jovetiç preferohet si nga Manchester City dhe Arsenal ashtu edhe nga Juevntus, ndërsa Edinson Cavani është në shënjestrën e Real Madrid, Manchester City, Chelsea dhe PSG.Megjithëse është ende herët për të folur për gjëra konkrete, një gjë mund ta themi me siguri: kjo merkato do të jetë shumë spektakolare dhe me plot surpriza.