Juventus zyrtarisht Kampione e Italisë

Juventusi është shpallur kampion i Italisë për vitin e dytë radhazi.Bardhezinjtë kanë mundur Palermon me rezultatin minimal 1-0, duke siguruar automatikisht titullin tre javë para përfundimit. Ky titull është i 29-i sipas Federatës Italiane dhe i 31-ti për të gjithë bardhezinjtë, që llogarisin këtu edhe dy titujt e hequr nga proçesi  i "Kalçiopolit".Në “Juventus Stedium”, atmosfera është e papërshkrueshme, ngjyrat bardhezi krijuan një koreografi krejtësisht të veçantë me 40.000 flamuj që valviteshin si sinjali më i qartë për të festuar titullin kampion.  Ky titull për Juventusin ishte një triumf i ndërtuar javë pas jave, falë dëshirës së bardhezinjve për të tejkaluar gjithmonë limitet e tyre, për të dhënë gjithçka në funksion të objektivit. Lojtarët e Kontes janë paraqitur plot vendosmëri, zemërim dhe dëshirë, duke qenë gjithmonë superior ndaj kundërshtarëve. Por, nga ana tjetër, është vërejtur edhe forca psikologjike për t'i përballuar të gjitha përballjet me përulësi dhe duke luftuar deri në fund. Krijuesi i kësaj mendësie është padyshim Antonio Konte, që shpallet kampion i Italisë me Juventusin në të dytin vit radhazi.Fitorja e sotme e Juventusit ndaj Palermos ka zyrtarizuar përfundimisht se titulli 2012-2013 u takon vetëm bardhezinjve. Goli i vetëm i kësaj fitore të rëndësishme erdhi nga këmbët e Arturo Vidal me anë të një 11-metërshi në pjesën e dytë të ndeshjes. Zonja e vjetër  është konfirmuar për të dytin vit radhazi si ekipi më i fortë në Itali. Tashmë skuadra e Kontes do të kërkojë të bëjë hapin e madh edhe në Evropë, ndërsa pritet të mësohen se cilat janë lëvizjet në merkato për klubin Torinez që synon një rikthim të fuqishëm edhe në arenën ndërkombëtare.