Moto GP, Mahnit përsëri Marquez, por Pedroza triumfon

Dani Pedroza dhe Mark Markez kanë qenë protagonistët absolut të Çmimit të Madh të Spanjës në MotoGP në pistën e Herez, duke treguar se Honda është kthyer përsëri e madhe dhe se të dy do të luftojnë për titullin kampion përballë Horge Lorencos e Valentino Rosit që në garat e para kishin lënë të kuptohej se do të ishin pretendentë.Pedroza ka arritur të fitojë duelin me Lorencon në xhirot e para dhe më pas është shkëputur duke regjistruar xhiro të shpejta të njëpasnjëshme. Por spektakli i vërtetë është zhvilluar pas krahëve të tij, me protagonist kryesor shokun e skuadrës, Mark Markez.Debutuesi fillimisht ka treguar karakter të jashtëzakonshëm duke dubluar dhe parakaluar Velentino Rosin, që mbylli garën i katërti. Ndërsa më vonë, pas një beteje të ndezur me Horge Lorencon, i ka vjedhur atij vendin e dytë pikërisht në kthesën e fundit të garës, duke u përplasur me kampionin e botës në fuqi për t'i marrë pozicionin.Kuptohet që një lëvizje e tillë do të shkaktojë shumë polemika dhe pritet të bëhet temë diskutimi në javët në vazhdim, edhe për faktin që manovra ishte identike me atë që Rosi i bëri Xhibernau disa vite më parë, ndërsa tani situata është edhe paksa më e komplikuar, pasi kthesa në fjalë mban pikërisht emrin e Lorencos.Gjithsesi, debutuesi i Hondas mban tashmë vendin e parë në renditjen e kampionatit dhe duket se do të jetë protagonist absolut i këtij sezoni, duke i mbyllur gojën të gjithë atyre që e cilësonin të parakohshëm debutimin e tij në MotoGP.