Meta sërish apel për tre ligjet: Berisha të mbajë fjalën për votimin e tyre
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj, ka marrë pjesë në një takim në Kombinat, në të cilin u prezantua kandidati për deputet i LSI-së në këtë zonë, Ardit Çela. Në fjalën e tij përshëndetëse Meta deklaroi se Shqipëria dhe Kombinati kanë nevojë për një forcë me këmbë në tokë dhe që kujdeset për njerëzit." LSI-ja në Kombinat është tashmë e gatshme për të arritur rezultatin më të mirë që ka pasur ndonjëherë që nga themelimi i saj. Unë besoj se ka shumë arsye për të arritur këto objektiva sepse Shqipëria ka nevojë për një LSI akoma edhe më të fuqishme, sepse Shqipëria dhe Kombinati kanë nevojë për një forcë me këmbë në tokë dhe që kujdeset për njerëzit, për një forcë e cila u flet njerëzve dhe jo yjeve në qiell, për një forcë që i ndjen problemet dhe shqetësimet e tyre", tha ai.Duke folur për kandidatin për deputet, Ardit Çela, Lideri i LSI-së tha se Arditi si djalë i Kombinatit është pranë problemeve dhe shqetësimeve të banorëve.Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se vendi është në një moment tepër të rëndësishëm, në një moment kur problemet ekonomike dhe sociale rriten."Shkëlqimi i ekonomisë ekziston vetëm në fjalimet euforike të kryeministrit aktual. Ndërkohë që, borxhet e qeverisë ndaj biznesit janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Prandaj duhet një ndryshim që të mos flasim për ekonominë virtuale por të flasim për ekonominë reale, për atë që ndjen çdo shqiptar dhe çdo qytetar i Kombinatit sot në familjen e tij. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dje dha alarmin në emër të gjithë bizneseve për këtë krizë në të cilën ndodhet biznesi dhe kompanitë vendase, të imponuar nga sjellja e papërgjegjshme e qeverisë. Jo vetëm kaq, por edhe nga dëshira për të manipuluar këtë të vërtetë dhe për t'iu shmangur dialogut me këtë komunitet për të zgjidhur këto probleme shumë të mëdha, këto borxhe shumë të mëdha që rrezikojnë të degradojnë më tej situatën ekonomike në vend. Ndaj është koha për një ndryshim dhe për një rotacion. ", vijoi ai.Meta tha se LSI ka treguar që është një forcë serioze, që di të bëjë marrëveshje, që di ti respektojë ato."LSI nuk pa thjesht interesin e ngushtë të saj dhe thjesht të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. LSI e mori këtë vendim duke parë një interes shumë më të madh të të gjithë vendit, duke parë një interes po kështu shumë më afatgjatë për të gjithë shqiptarët por edhe për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj. 23 qershori do të jetë një ditë e një fitoreje plebishitare të koalicionit opozitar i cili është koalicioni më i gjerë gjatë këtyre viteve", tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.Duke përfunduar Meta tha se roli dhe kontributi i LSI-së do të jetë i jashtëzakonshëm." Dje unë propozova një kompromis për çështjen e tre ligjeve duke i kërkuar edhe kryetarit të Partisë Demokratike, edhe kryetarit të Partisë Socialiste që tre ligjet të votohen përpara se të mbyllet ky sesion parlamentar dhe të hyjë në fuqi me Parlamentin e ri si rruga më e mirë që të fitojmë kohë në miratimin e ligjeve por edhe që zbatimi i tyre të garantojë qëllimin e këtyre ligjeve, për të forcuar institucionet e pavarura në vend. Le të shpresojmë se kryetari i Partisë Demokratike, Berisha, i cili ka kërkuar që këto tre ligje të votohen prej kohësh të mos ndryshojë mendim sepse nuk do të ishte mirë për të dhe natyrisht që do të kishte mundësinë që të tregonte se ka qenë i sinqertë të paktën deri më tani në këto deklarata publike për domosdoshmërinë të këtyre ligjeve. Vendi ka nevojë për kompromis dhe LSI-ja e ka ofruar me bindjen se kjo është në interesin e gjithë qytetarëve shqiptarë ", përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Kombinat.