Dita botërore e shtypit, Berisha: Do bëjë gjithçka për lirinë e medias

Kryeministri Berisha ka uruar gazetarët analistët, botuesit, pronarët dhe punonjësit e mediave me rastin e ditës botërore të lirisë së shtypit.Në një mesazh të publikuar në rrjetin social “Facebook”, kryeministri premton se do të jetë një mik i vërtetë i medias duke shtuar se do bëjë gjithçka për lirinë e saj."Sot njerëzit e lirë në mbarë botën nderojnë me vlerësimin më të madh mediat, punonjësit e tyre, rolin e tyre si pushtet i katërt, pa të cilin nuk ka demokraci. Duke bashkuar zërin tim me protestën dhe kërkesat e drejta të mediave shqiptare këtë ditë, unë dua t'i garantoj ato se mbetem një mik i vërtetë i tyre që çmoj dhe admiroj rolin e tyre të pazëvendësueshëm dhe thelbësor në një shoqëri të lirë dhe se do bëj gjithçka që liria e tyre të bëhet çështje e lirisë se çdo shqiptari” shkruan kryeministri.Gjithashtu shefi i qeverisë ka vlerësuar edhe reporterët që kanë dhënë jetën në vendet e konfliktit duke i cilësuar si martirë.“Unë gjithashtu dua të përulem me nderim të madh para atyre gazetarëve, kameramanëve, kronistëve që u martirzuan këtë vit në zona të nxehta të planetit për të informuar botën mbi zhvillimet e ethshme. Edhe njëherë, gëzuar ditën e lirisë së shtypit, ditën e fjalës së lirë!” përfundon Berisha.Ndërkohë, Freedom House vëren në raportin vjetor të publikuar ditën e mërkurë  se Shqipëria ka kryer përparime përsa i përket lirisë së medias. Ajo renditet këtë rradhë nëntë vënde më afër lirisë së shtypit, duke u vendosur në pozicionin e 96-të nga 197 vendet, që përfshihen në listë.