RRGBV thirrje partive e KQZ-së: Të paktën 30% e listave me kandidate femra në këto zgjedhje

Në prag të shpalljes së listës së kandidatëve për deputet ditën e Hënë, një zë i fortë vjen në drejtim të përmbushjes së detyrimit ligjor ndaj barazisë gjinore në politikë.Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje, i cili është një nga rrjetet më të mëdha të grave në Shqipëri, i kërkon partive politike si dhe KQZ-së që të përkrahin ndryshimet në reformën elektorale, duke siguruar përfshirjen e grave në listat e kandidatëve. Prania e grave dhe vajzave në strukturat politike shihet me përparësi për të siguruar një demokraci funksionale dhe zhvillim të plotë të vendit.Në Korrikun e vitit 2012, vendi ynë forcoi kuadrin ligjor duke parashikuar që gratë dhe vajzat kandidate të përbëjnë të paktën 30% të listës shumë emërore të partive. Po mbi këtë kuadër, ligji parashikon edhe që një në tre kandidate për deputete të figurojë në fillim të çdo liste që do të paraqitet nga partitë në KQZ, për zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit.Në rast të mosrespektimi të barazisë gjinore në këto lista të parashikuara sipas ligjit përsa i përket kriterit gjinor dhe barazisë së tij, Rrjeti i Grave për Barazi në Vendimmmarje, shprehet që të merren sanksionet ligjore për shkelësit dhe sjell në vëmendje se KQZ-ja ka mandat të aplikojë gjoba të parashikuara në ligj dhe të kërkojë rishikimin e listave që nuk zbatojnë parashikimet ligjore.Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje është i dedikuar për arritjen e barazisë gjinore në vendimmarje dhe forcimin e rolit të gruas në shoqërine shqiptare. Anëtaret e kësaj organizate përfshijnë përfaqësues nga të gjitha partitë politike, nga spektri i majtë dhe i djathtë, shoqëria civile dhe media.