Meta: Mbështetje për fasonët, dyfishim të eksporteve në 4 vitet e ardhshme
Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka shprehur edhe një herë mbështetjen e tij ndaj biznesit fason, duke e cilësuar si një sipërmarrje mjaft të rëndësishme për ekonominë e vendit.Gjatë një vizite në një fabrikë përpunimi veshmbathjesh në Njësinë bashkiake nr. 4 në Tiranë, Meta deklaroi se biznesi fason ka një impakt të rëndësishëm social ndërsa paraqiti edhe nismat e marra nga forca e tij politike për ta lehtësuar këtë sipërmarrje nga taksat.“Është kënaqësi të jem në një ndërmarrje që punëson mjaft gra dhe vajza. Por e cila edhe eksporton dhe kjo është një gjë mjaft e rëndësishme për ekonominë e vendit. Biznesin fason mban një peshë shumë të rëndësishme në këtë drejtim. Gjëra pozitive janë bërë edhe gjatë këtyre viteve të fundit, siç është heqja e taksës doganorë për lëndët e para të importit, për heqjen së fundit të TVSH-së për makineritë dhe pajisjet apo edhe bërja zero e taksës së sheshtë për pagat deri në 30 mijë lekë të reja, por duke qenë se është një biznes fason që punëson jashtëzakonisht shumë gra e vajza dhe ka një impakt të jashtëzakonshëm social është shumë e rëndësishme për të ndërmarrë iniciativa të tjera që e zgjerojnë dhe e përkrahin akoma më tej këtë aktivitet” tha Meta.Gjithashtu kreu i LSI-së premtoi kredi të buta për blerjen e makinerive dhe pajisjeve për fasonët, teksa theksoi se rritja e prodhimit dhe eksporteve është e vetmja rrugë për fuqizimin e ekonomisë sonë.Meta theksoi më tej se objektivi i LSI-së është që deri në 2017-n të dyfishohen eksportet dhe të arrijnë deri në 40% të prodhimit të brendshëm bruto, duke rritur njëkohësisht edhe prodhimin së bashku me markat “Made in Albania”.“Angazhimi ynë është që në katër vitet e ardhshme të garantohet një mbështetje më e madhe sidomos më kredi të buta me interesa deri në 3% për të zgjeruar biznesin fason dhe njëkohësisht për të garantuar sa më shumë grante veçanërisht përsa i takon blerjes së makinerive dhe pajisjeve për biznesin fason. Për ne është shumë e rëndësishme që të realizojmë një cikël të mbyllur brenda vendit dhe të rrisim prodhimin dhe markat ‘Made in Albania’. Rritja e prodhimi dhe eksporteve është e vetmja rrugë për fuqizimin e ekonomisë sonë dhe objektivi ynë është që deri në 2017-n të dyfishohen eksportet, që do të thotë që eksportet të arrijnë në vitin 2017 deri në 40% të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo do të thotë njëkohësisht edhe garantimi i rritjes së punësimit dhe i qëndrueshmërisë së punësimit”, shtoi Meta.