Shansi për të bërë shtet
Zgjedhjet janë momenti kyç për të rishpërndarë pushtetin. Kjo është e mirënjohur dhe këtij aspekti të gjithë po "ja bëjnë hyzmetin". Nga ana tjetër, zgjedhjet janë një moment për të reflektuar mbi ..shtetin! Dhe tamam kjo optikë s'duket se po zë vendin që meriton në preokupimet tona. Si një shans "për të zgjedhur më të mirët", zgjedhjet janë pikë së pari një shans për të rregulluar mekanizmin shtetëror e qeverisës -atje ku ai çalon, ose për ta plotësuar me ingranazhet e duhura -atje ku ato mungojnë. Ç'dua te them?-Nuk e kam me një qeveri të caktuar, sado që së fundmi, prirjet e mëposhtme u trashën shumë. E kujtoni besoj bezdinë që ju krijohet tek dëgjoni lajmet mbi ndryshimin e buxhetit në mes te vitit. Ku rezultati është një buxhet i qethur dhe i rruar, që s'i ngjan fare atij që pat qenë miratuar me zhurmë e bujë para fillim- vitit në fjalë. Termi eufemistik në këtë rast quhet "rishikim", por të gjithë e dimë se është po i njëjti avaz: shkurtim financimesh për projekte në zbatim, përmbysje e rritjes bombastike të PBB-së që kishim shpallur më parë, rritje e borxhit publik, shtyrje të afateve të pagesave e rimbursimeve të detyrueshme, rishpërndarje tek disa "prioritete të reja" etj., dhe të gjitha këto të sheqerosura me një lajm social: për rritjen e...pagave e pensioneve të ulta -në një masë gjithsesi që edhe në këtë rast, mezi kompenson zhvlerësimin inflacionist. Një tjetër fakt: e keni parasysh besoj, përmbytjen gjithëvjetore me lajmet mbi ngritjen e turli komitetesh e grupesh pune, për të bërë punë të rëndomta e krejtësisht të planifikueshme qysh më parë. Edhe këtu kemi lloj-lloj emërtimesh, nga ai më legjendari e luftaraku "shtab", që kryesisht e hasim në raste përmbytjesh e katastrofash (shtabe emergjencash), e deri tek ato të veshura më trendy, si "task force". Task force për këtë, e task force për atë. Dhe del se mes ingranazheve të shtetit gëlojnë më shumë task force e shtabe emergjence që drejtojnë e ndjekin punë nga më të ndryshmet, se sa ministri e agjenci normale -pjesë legjitime të shtetit -kryesisht të aparatit ekzekutiv, të ngritura me mundim, ekspertizë e shumë shpenzime. Më e keqja është se kjo prirje ka cenuar, madje ka denatyruar edhe vetë arsyen e ekzistencës, kuptimin dhe misionin e një task force, shtabi, a grupi pune. Në shumicën e rasteve, ato nuk ngrihen për t'ju përgjigjur befasisë së situatave madhore, pra gjëmave qiellore, tokësore a nëntokësore të paparashikuara -siç do të ishte logjike dhe me vend. Ato ngrihen thjesht si dublim apo zëvendësim i rolit dhe punës, që në fakt duhet t'i marrin përsipër e kryejnë agjencitë normale të asaj pune. Në këtë kuptim edhe shumica e emergjencave natyrore, e kam fjalën p.sh. për ato që përsëriten periodikisht (përmbytjet në disa pellgje ujore dhe zjarret në pyje) nuk ka pse të klasifikohen më si "të papritura" dhe t'u lihen për trajtim disa skuadrave të ngritura me ngut e në rrëmujë. Ato janë (apo duhet të jenë bërë tashmë) detyrë funksionale e një strukture të ngritur e që paguhet për këtë qëllim: Agjencisë Kombëtare të Emergjencave. Por edhe më i dëmshëm si aspekt denatyrues i mekanizmave të shtetit, është fakti se këto shtabe e task forca, ndryshe nga agjencitë e departamentet me status të caktuar, nuk kanë as statut e as rregullore që u përcakton mandatin, burimet dhe kufijtë e misionin. Pra ato, jo vetëm kalojnë në territore e kompetenca të hallkave normale të administrimit të shtetit, por bëjnë edhe një shkelje të madhe parimore në balancën e vendimmarrjeve: rishpërndajnë pushtet ekzekutiv nga poshtë lart, nga periferia drejt qendrës. Duke grumbulluar edhe më shumë pushtet e komandë reale në duart e një njeriu, që zakonisht është kreu i ekzekutivit. Aspekt i ngjashëm me këtë të dublimit e zhvendosjes së institucioneve "normale", është edhe ai i deformimit të...trajtimeve "normale". Domethënë trajtimeve me kritere, transparencë e barazi. Dihet që shpërndarja e financimeve për zona, qytete, fshatra e projekte të veçanta tek ne, varet jo nga mundësitë financiare të shtetit! Aspak. Po aq, në mos më shumë, ato varen edhe nga "fuqia" dhe pozita e..deputetit, ministrit apo "lobistit" që ndërhyn për atë projekt. Nga kjo kemi që në zonat me të cilat është personalisht i lidhur një deputet apo ministër "i fortë", janë financuar pa kursim edhe shëtitore e llambadarë anës rrugës së fshatit, ndërsa në zona të tjera s'lëviz asgjë! Pse? Sepse për këtë shpërndarje s'ka kritere e norma përzgjedhje sipas shkallës së nevojës. Është një luftë force e pushtetesh brenda pushtetit. E ngjashme, puna e ndërhyrjeve speciale për të ndihmuar persona a familje në nevoja akute. P.sh, në rastet e kurimeve të shtrenjta. As ky hall i madh (mos i ndodhtë kujt!) nuk përbën një arsye që trajtimi (mbulimi i shpenzimeve të kurimit) të bëhet me raste, njohje, pëlqime, pra në mënyrë selektive. Edhe ky trajtim mundet fare lehtë të normohet e kriterizohet: kur, për ç'kategori njerëzish dhe në ç'rrethana jepet dhe t'i delegohet si kompetencë një hallke të shtetit. Pse duhet që qeveria të mblidhet e të vendosë me ngut e pa kritere -dhënien e një banese dikujt, apo mbulimin e faturës mjekësore dikujt tjetër, duke përjashtuar të tjerët? Etj., etj.. Ky argument s'mund të mos shqetësojë tek sheh diskursin elektoral që ka pushtuar sheshet e podiumet tona. Debati shtrihet në gjithçka e çdo fushë që ka të bëjë me rrotacionin edhe pushtetin -por shumë pak merret me...shtetin! Ai ka luksin t'i kushtojë kohë dhe energji, deri dhe sulmeve personale e familjare, shkon madje në nivel "veshi" e "leshi", por pak, ose aspak po merret me...miradministrimin dhe mirëqeverisjen. Që janë në fund të fundit interesi i parë dhe i fundit i qytetarit, zgjedhësit-konsumator të qeverisjes. Skena e sotme elektorale, për fat të keq, duket ende e shpërqendruar e larg interesit të shtetbërjes. Ende shohim të përplasen kryesisht dy tip ofertash: e para është "oferta ideologjike", e cila ndonëse në epokën e sotme (të qeverisjeve post-ideologjike -siç e quan Tony Blair), s'do të duhet të kishte fare vend, mbahet e fortë dhe zë vend qendror. Kështu, në mungesë të argumentit ende dëgjojmë të flitet për "bllokmenë të rinj", "pinjollë të diktaturës", apo edhe shqeto...komunistë! E dyta që dominon ballafaqimin fushator të sotëm, është qeverisja...numerike. E kam fjalën për ethen që ka zënë partitë, të cilat atraktivitetin e ofertës së tyre e kanë reduktuar kryesisht në ..shifra!! Unë do të punësoj 200 mijë! Po pse 200? Po sa? 300 mijë! Po pse 300? Po sa? E kështu më tutje. Reduktim, që për gjykimin tim, jo vetëm nuk thotë gjë për një funksionim më të mirë të sistemit, por fyen edhe inteligjencën normale të çdo qytetari. Do të ishte ndryshe sikur t'i linim pak më tepër vend një tjetër diskutimi, në vend të vrapit për pushtetin. Atij për ndërtimin e fuqizimin e shtetit. Burimi : shekulli.com.al