PS takim me banorët e njësisë nr. 7, Rama: PS shumicë të qartë
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama së bashku me deputetë të tjerë të Partisë Socialiste ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me banorët e njësisë nr. 7 në kryeqytet.
Në këtë takim kreu i selisë rozë është shprehur se programi i Partisë Socialiste është një program i cili është ndërtuar në një rrugëtim të gjatë duke u konsultuar me qytetarët, me komunitete me shoqërinë civile, me grupe interesi, me ekspertë vendas dhe të huaj, duke realizuar kështu programin më të detajuar qeverisës që një forcë politike ka pasur në 22 vjet.
“Kemi një program që është shprehje e të gjitha nevojave të vendit dhe të njerëzve për ndryshimin dhe që mban brenda vetes të gjitha arsyet pse çdo shqiptar duhet të votojë në 23 Qershor Partinë Socialiste. Jam këtu sot që Partia Socialiste dhe aleanca për Shqipërinë europiane të marrë aq shumë vota sa pas 23 Qershorit Shqipëria të ketë jo vetëm shumicën e munguar në qeverisje për 8 vjet por edhe një qeveri të mbështetur mbi një shumicë numerike të plotë dhe të qartë”, u shpreh Rama.
Në këtë bashkëbisedim, në lidhje me një pyetje të një qytetareje se çfarë do të bëjë Partia Socialiste për shëndetësinë Rama u përgjigj:
“Shëndetësia është një plagë e kalbëzuar dh ehistori të tilla janë të pafundme. Kur nuk ka punë nuk ka as sigurime dhe vizitat bëhen me lekë në dorë. Tarifat janë 5 fishuar . Për Partinë Socialiste kujdesi shëndetësor nuk është mall por një e mirë publike që duhet të ofrohet sipas nevojës për këdo. Ne do ta ndryshojmë këtë sistem mbi sigurimet dhe do të ofrojmë shërbimin falas”, u shpreh Rama.
Kreu socialist ka folur gjithashtu edhe në lidhje me çështjen e punësimit të të sapodiplomuarve duke u shprehur: “Ajo që po ndodh me universitetet është pabesia më e madhe që qeveria u ka bërë të rinjve dhe prindërve. Duke lejuar hapjen e kaq shumë universiteteve private ka lejuar rënien e punësimit dhe të ekonomisë. Të rinjtë sot kanë vetëm një zgjidhje ose papunësinë ose universitetin. Ajo që premton Partia Socialiste është zgjidhja e kualifikimit profesional. Ne jemi angazhuar që të krijojmë kushte për 300 mijë vende pune si dhe një projekt që do të rrisë punësimin nëpërmjet përfshirjes në punë të të atyre që jetojnë me ndihmë ekonomike dhe bashkëpunimit me kompanitë për të hapur vende pune me mbështetjen e shtetit”.