Nishani: S`do tolerohet më zvarritja e gjyqeve

Presidenti i vendit dhe njëkohësisht edhe kryetari i Këshillit të Lartë të drejtësisë Bujar Nishani ka deklaruar se nuk do të tolerohen më zvarritjet e seancave gjyqësore .Duke folur në mbledhjen e KLD-së, Nishani njoftoi gjithashtu edhe hapjen e një portali online në faqen zyrtare të këtij institucioni në internet ku qytetarët do të shprehin ankesat e tyre."Gjatë këtyre kohëve në cilësinë e kryetarit të KLD, një numër ankesash nga qytetetarët kanë ardhur që shfaqin problemet  në sistemin gjyqësor.  Do të jenë të patolerueshme rastet ku proceset gjyqësore zvarriten, kur vendimet gjyqësore mbeten në sirtaret e gjyqtarëve me muaj të tërë. Prandaj i kam kërkuar nënkryetari të KLD-së dhe anëtarëve që në faqen zyrtare të vendoset një portal i veçantë për depozitimet e ankesave e qytetarëve. Portali do të ketë detaje për të realizuar mënyrën e komunikimit me qytetarët.  U garantoj qytetarëve se çdo ankesë do të ndiqet me vëmendje dhe me përgjegjësinë maksimale dhe do të jetë pjesë e axhendës prioritare të KLD-së” theksoi Nishani.Kreu i shtetit ka vlerësuar maksimalisht edhe disa nga vendimet e qeverisë dhe të parlamentit, që sipas tij do të shërbejnë direkt për përmirësimin e imazhit të gjyqtarit, por edhe të mirëfunksionimit të gjykatave.“Ky hap do ti shërbeje gjyqtarëve të ndershëm e kurajozë. Mbetemi të bindur se sistemi ynë i gjyqësorit dominohet nga njerëz profesionist që kanë nevojë për inkurajim, mbështetje e vlerësim. Ndaj mendimin se ky hap inkurajon pikërisht atë grup të madh të gjyqtarëve duan të ofrojnë profesionalizëm, integritet, por edhe kërkojnë të ndihen të vlerësuar nga shoqëria dhe shteti” tha Nishani.Nishani ka vlerësuar edhe vendimet më të fundit për ndërhyrje të rëndësishme në kodin penal dhe të procedurës penale, duke i cilësuar ato hap i rëndësishëm dhe vendimtar, jo vetëm për forcimin e një politike penale, por për të ngushtuar edhe abuzimet që mund të bëheshin nga hetues dhe gjykues.