Berisha inauguron shkollën e mesme të bashkuar “Gjovalin Gjadri” në Lezhë

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në përurimin e rikonstruksionit të shkollës së mesme të bashkuar “Gjovalin Gjadri”, në Gjadër, Lezhë. Rikonstruksioni i saj është financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, një investim me vlerë 22 milionë lekë. Kjo shkollë ka gjithsej 299 nxënës, 36 fëmijë në sistemin parashkollor, 193 nxënës në shkollës 9 –vjeçare dhe 70 nxënës shkolla e mesme.Në qarkun e Lezhës, nga viti 2009-2013, në infrastrukturën e sistemit arsimor parauniversitar është investuar në 31 objekte shkollore, 12 prej të cilave janë ndërtime shkollash e kopshtesh të reja, investime këto që arrijnë në vlerën 872 milionë lekë.Kryeministri Berisha u shpreh se për qeverinë arsimi ka qenë dhe do të jetë çështja më serioze dhe më themelore. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet e tij për këtë shkollë, si edhe për cilësinë e mësimdhënies në të.“Unë gjeta këtu një shkollë të pajisur me laboratorët dhe mjetet më bashkëkohore; gjeta laboratorin e informatikës dhe fëmijët që lundronin në internet; gjeta një kabinet jashtëzakonisht të veçantë, atë të artistëve të rinj, të cilët me hedhurina, në mbrojtje të mjedisit, krijojnë vepra të vërteta artistike; gjeta një klasë nxënësit e së cilës flisnin rrjedhshëm anglishten; gjata nxënës të tjerë që me një kompetencë të veçantë flisnin për acidet nukleike, ADN-në dhe ARN-në. Pra gjeta këtu nxënës dhe mësues që zhvillonin mësim të standardeve më të mira”, u shpreh Kryeministri.“Ne, - tha Kryeministri, - mbetemi të zotuar se do të bëjmë gjithçka dhe brenda 2-3 viteve të para të mandatit të ardhshëm do të ndërtojmë edhe rindërtojmë çdo shkollë, në mënyrë që fëmijët tanë të ulen në shkolla të njëjta, me standardet më të mira, kudo qofshin ata, në fshat, në qytet”.Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet e tij edhe për faktin që në këtë komunë “100 përqind e nxënësve që mbarojnë shkollën 9-vjeçare ndjekin shkollën e mesme”.